
Analisti Ben Andoni, i ftuar në studion e News24, ka komentuar tensionet e sotme në Parlament, ku protagonistë ishin deputetët e Partisë Demokratike, si dhe zhvillimet e fundit që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK pritet të kërkojë autorizim për arrestim.
Sipas Andonit, përballë pushtetit të kryeministrit Edi Rama, opozita duhet të gjejë një mënyrë efektive për ta larguar atë nga qeverisja. Ai theksoi se opozita i është rikthyer “metodës së vjetër” të përballjes, ndërsa vendi, sipas tij, po përballet me një degradim të standardeve demokratike. “Rama tashmë nuk po njeh asnjë parim të një shteti normal, që shqiptarët mezi po e mbajnë”, u shpreh analisti, duke shtuar se resurset ekonomike janë gjithnjë e më të pakta dhe emigrimi po rritet.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe përgjimeve që lidhen me Belinda Ballukun, Andoni tha se, nëse ato rezultojnë të vërteta, përbëjnë një “trishtim shumë të madh për njerëzit që na drejtojnë”. Në këtë kontekst, ai e cilësoi reagimin e opozitës si të ligjshëm, por vuri në dukje se ekzistojnë forma të tjera më efikase veprimi.
“Energjia e opozitës në këto momente duhet të përdoret për krijimin e protestës dhe për ndërgjegjësimin e publikut”, theksoi Andoni. Sipas tij, irritimi i opozitës është i kuptueshëm, por mënyra se si po shprehet rrezikon të çojë në shpërdorim të energjisë politike. Ai shtoi se opozita ka një betejë të rëndësishme për t’u treguar shqiptarëve nivelin real të opozitarizmit dhe masën në të cilën kryeministri e ka çuar shtetin.
Sa i përket rolit të Ballukut, analisti u shpreh se ajo, për respekt ndaj partisë që i ka besuar dy mandate si zëvendëskryeministre, mund të kishte dhënë dorëheqjen, duke “shpëtuar vendin” nga një krizë më e thellë. Megjithatë, sipas tij, ajo ka zgjedhur një tjetër rrugë, ndërsa mbështetja e fortë e kryeministrit Rama ndaj saj është e njohur.
and then