
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku për ndërtimin e një “sistemi monstruoz patronazhimi” gjatë zgjedhjeve të fundit, duke ngritur shqetësime serioze për krim elektoral dhe keqpërdorim të të dhënave personale të votuesve.
E ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, Vokshi deklaroi se Balluku ka keqpërdorur të dhënat personale të qytetarëve të siguruara nga AKSHI, duke i shpërndarë ato, sipas saj, te zyra elektorale, patronazhistët dhe grupet kriminale.
“Balluku pati një sistem monstruoz patronazhimi në zgjedhjet e fundit. Ajo ka keqpërdorur të gjitha të dhënat personale të votuesve të marra nga AKSHI dhe ia ka dhënë zyrës së saj elektorale, patronazhistëve dhe bandave,” u shpreh Vokshi.
Deputetja demokrate shtoi se Balluku ka pasur lidhje direkte me banda kriminale në Fier, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi mungesën e veprimeve nga drejtësia për krimin elektoral. “Çfarë është bërë deri më sot për krimin elektoral? Nuk ka asnjë hetim,” tha ajo.
Vokshi theksoi se opozita mbështet çdo hetim dhe çdo prokuror që vepron profesionalisht, duke kërkuar standard të njëjtë për të gjithë para ligjit. “Kushdo që ka shkelur ligjin, ka vjedhur apo ka kryer krime të tjera duhet të shkojë para drejtësisë. SPAK duhet të ketë një standard, jo Veliaj në burg dhe Balluku e mbrojtur nga Rama jashtë,” përfundoi deputetja e PD.
and then