“Dosja Balluku shënon pjekurinë e SPAK”, Poli Hoxha: Rama në momentet e fundit për të negociuar fatin e tij

Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka folur për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe dosjen e SPAK ndaj saj, duke e cilësuar këtë proces si një moment kyç që dëshmon pjekurinë dhe pavarësinë e institucionit të posaçëm të drejtësisë.

Sipas Hoxhës, SPAK ka arritur një nivel pjekurie nën drejtimin e Altin Dumanit, duke vërtetuar se është një institucion që nuk kapet dhe nuk ndikohet politikisht. Ai theksoi se mbështetja e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian ndaj SPAK vijon të jetë e fortë, ndërsa peshorja, sipas tij, ka anuar qartësisht nga drejtësia.

Gazetari vuri në dukje se pas hetimeve ndaj Belinda Ballukut është shfaqur një front i hapur politik kundër SPAK. “Fillimisht ky front përfaqësohej nga Berisha, ndërsa tani Rama ka dalë hapur kundër tij”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se marrja e Ballukut si e pandehur ka qenë momenti që e ka nxitur këtë përplasje.

Duke folur për figurën e zv/kryeministres, Hoxha e cilësoi Ballukun si një personazh me një rritje të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike. Ai theksoi se hetimi ndaj saj ka shkuar deri në limite, duke nisur nga gushti i vitit 2024 me kallëzimin e parë, për t’u regjistruar si hetim në shtator të po atij viti dhe për të vijuar për rreth një vit.

Sipas Hoxhës, një nga elementët kyç të hetimit ka qenë çështja e telefonave Blackberry të sekuestruar, për të cilët partnerët ndërkombëtarë kanë deklaruar se mund të zbërthehen dhe të nxjerrin në dritë prova të rëndësishme, përfshirë edhe gjurmimin e parave. Ai shtoi se, pasi kjo ndihmë u bë fakt i kryer, prokurorët kanë vijuar punën pa u ndalur.

Në analizën e tij politike, Hoxha deklaroi se kryeministri Edi Rama mund të ndodhet në një moment vendimtar për të negociuar, por sipas tij, e vetmja gjë që mund të negociohet është fati personal. “Ky pushtet, si i korruptuar, ka rënë”, u shpreh ai, duke theksuar se raste të tilla kërkojnë edhe zgjidhje politike.

Në përfundim, Hoxha theksoi se ndërsa SPAK godet “trupin e infektuar” nga jashtë, përmasat e dosjes Balluku janë të mëdha, duke kujtuar se institucioni u ka përcjellë deputetëve rreth 16 mijë faqe materiale nga kjo dosje.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×