
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale ndaj projektligjit të qeverisë për kontrollin e investimeve të huaja, duke e cilësuar atë si të vonuar, të mangët dhe pa garanci reale për sigurinë kombëtare dhe standardet europiane.
Tabaku rikujtoi se prej më shumë se një viti ajo ka depozituar në Kuvend një ligj të plotë për screening-un e investimeve të huaja direkte (FDI), të hartuar me mbështetjen dhe ekspertizën e SHBA-së dhe BE-së, por që u rrëzua nga maxhoranca. Sipas saj, sot qeveria vjen me një version të cunguar të të njëjtit ligj, vetëm pasi krizat e korrupsionit kanë nxjerrë në pah rrezikun real që vjen nga mungesa e filtrave seriozë.
“Djalli fshihet gjithmonë në detaje,” theksoi Tabaku, duke vënë në dukje se ligji i propozuar nga qeveria parashikon që analiza e sigurisë së investitorëve të huaj të bëhet nga vetë qeveria, një qasje që ajo e konsideron thellësisht problematike, në një moment kur AKSHI është vënë në qendër të akuzave publike si grup i strukturuar kriminal.
Një tjetër problem madhor, sipas Tabakut, është fakti se ligji i qeverisë fokusohet vetëm tek sektori i medias, duke lënë jashtë sektorë jetikë për sigurinë kombëtare si infrastruktura, energjia, teknologjia e informacionit dhe projektet Smart City. Ajo ngriti shqetësimin se pa një analizë të thelluar dhe të pavarur, askush nuk garanton që investitorët, nënkontraktorët apo burimet e financimit në këta sektorë vijnë nga vende dhe interesa të sigurta.
Deputetja demokrate paralajmëroi se një strukturë e akuzuar për korrupsion dhe abuzim, e cila sot ka në dorë të dhëna sensitive si ato të Gjendjes Civile dhe E-Albania, nesër mund të administrojë edhe tenderë që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë publike, si kamerat e qyteteve.
“Ky nuk është thjesht një ligj për integrimin europian,” u shpreh Tabaku. “Është një çështje normash, standardesh dhe vlerash. Dhe shqiptarët nuk kanë arsye të besojnë se këto mund të garantohen nga një qeveri që po zhytet çdo ditë e më shumë në afera korrupsioni.”
Në përfundim, Tabaku ritheksoi se Shqipëria ka nevojë për një ligj serioz, gjithëpërfshirës dhe të besueshëm për kontrollin e investimeve të huaja, jo për zgjidhje formale dhe gjysmake që rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
and then