Pas dy muajsh heshtje, Autoriteti i Konkurrencës nis hetim për rritjen e çmimit të biletës për urbanin Kamëz–Tiranë

Dy muaj pas vendimit të Bashkisë Kamëz për shtrenjtimin e biletës së transportit urban, një vendim i shoqëruar me akuza për konflikt të hapur interesi, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë një hetim paraprak mbi këtë çështje.

Institucioni bën me dije se hetimi është çelur pas ankesave të depozituara dhe shqetësimeve të ngritura publikisht në media lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve të transportit urban në Kamëz. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, qëllimi i hetimit është analizimi i funksionimit të konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës.

Në fokus të verifikimeve do të jenë kryesisht linjat Kamëz–Tiranë–Kamëz dhe Paskuqan–Babrru–Tiranë, të cilat përdoren çdo ditë nga një numër i madh qytetarësh. Nga dokumentacioni zyrtar rezulton se shoqëria “SHPRESA – AL” SHPK është operatori i vetëm i licencuar për ofrimin e këtij shërbimi në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg, sipas përcaktimeve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Autoriteti thekson se nga vlerësimi paraprak nuk rezultojnë analiza të plota ekonomike apo financiare që të provojnë se rritja e tarifave është e bazuar në rritje reale të kostove, është e domosdoshme ekonomikisht dhe e justifikuar mbi kritere objektive të tregut.

Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2025 deri më 12 dhjetor 2025 dhe synon të vlerësojë nëse sjellja e shoqërisë “SHPRESA – AL” SHPK përbën kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës, në përputhje me Ligjin nr. 9121/2003.

Kujtohet se rritja e çmimit të biletës në linjën Kamëz–Tiranë nga 40 në 50 lekë, si dhe shtrenjtimi i abonesë mujore nga 1200 në 1400 lekë, është shoqëruar me dyshime serioze për konflikt interesi. Më herët, VNA ka publikuar dokumente që tregojnë se persona të përfshirë në propozimin, mbështetjen dhe votimin e rritjes së tarifave janë njëkohësisht drejtues të kompanisë “Shpresa.al”, e cila përfiton drejtpërdrejt nga ky vendim.

Propozimi për rritjen e tarifave është paraqitur nga Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, i cili e ka justifikuar publikisht vendimin me rritjen e kostove të mirëmbajtjes dhe karburantit, si dhe mungesën e subvencioneve shtetërore. Megjithatë, të dhënat publike tregojnë se Memaj mban edhe postin e drejtorit në kompaninë “Shpresa.al”, subjekti privat që operon linjat ku u aplikua shtrenjtimi, duke e vendosur atë në një pozicion të drejtpërdrejtë përfitimi financiar.

Dyshimet për konflikt interesi thellohen edhe në Këshillin Bashkiak Kamëz, ku disa këshilltarë që votuan pro rritjes së çmimit rezultojnë me lidhje direkte me kompaninë përfituese, përfshirë edhe administratorin e saj zyrtar. Situata është rënduar më tej nga fakti se mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila fillimisht ishte transmetuar në rrjetet sociale, u fshi më pas, duke shtuar dyshimet për mungesë transparence në procesin vendimmarrës.

Ndërkohë, qytetarët e Kamzës kanë reaguar me protesta dhe pakënaqësi, duke e cilësuar vendimin si një barrë të padrejtë ekonomike dhe duke kërkuar ndërhyrje institucionale për një vendimmarrje që, sipas tyre, ka cenuar interesin publik.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×