
Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, në një konferencë për shtyp, u shpreh se afera e AKSHI-t hoqi çdo maskë dhe konfirmoi të vërtetën tronditëse të marrjes peng dhe rrëmbimit të shtetit nga mafia.
Sipas Blushit, nuk bëhet më fjalë për korrupsion sporadik, por për një sistem të kriminalizuar, ku mafia dikton vendimet, grabit pasuritë publike dhe përdor institucionet e shtetit si vegla në shërbim të saj.
“Ky rrjet kriminal ka vënë dorë mbi Thesarin e Shtetit, ka depërtuar në sistemet më të ndjeshme si TIMS-i dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
Shteti nuk qeveriset më nga ligji, por nga krimi i organizuar, i cili vepron i paprekshëm, i mbrojtur dhe i integruar në vetë strukturat e pushtetit”.
Blushi tha se çdo akt terrori, dhune dhe frikësimi i Edi Ramës që dëshmon panikun e thellë për fundin e merituar dhe të pashmangshëm që e pret, nuk ka fuqinë të ndalë uraganin e lirisë.
“Akti i sotëm i përjashtimit të deputetëve të opozitës, nga Komisioni i Etikës së Krimit dhe Vjedhjes në Kuvend, është një tjetër atentat ndaj pluralizmit politik, që vetëm sa e motivon më shumë qëndresën dhe vijimin e betejës sonë të drejtë dhe të pakompromis për shporrjen e kësaj bande mafioze që ka marrë peng shtetin.
Është e destinuar të dështojë çdo tentativë kriminale për të bllokuar drejtësinë, e ndërmarrë nga njeriu që e kapi për fyti drejtësinë dhe që sot dridhet edhe nga drejtësia që vetë krijoi, e aq më tepër nesër imagjinoni nga një drejtësi realisht e pavarur.
Asgjë nuk do ta ndalë llogaridhënien dhe ndëshkimin e merituar të Edi Ramës, të Belinda Ballukut, Ergys Agasit dhe gjithë bandës së hajdutëve që kanë ndërtuar pushtetin mbi grabitjen, krimin dhe drogën”, tha Blushi.
and then