Vllaznia, Sinani i bindur: Dalim nga kriza, ky grup meriton shumë

Vioresin Sinani, Drejtori sportiv i Vllaznisë, bëri analizën e tij para sfidës ndaj Flamurtarit.

“Nuk besoj së ka ndonjë problem. Balaj e theksoi, por unë po e ritheksoj se ka nevojë për mbështetjen e gjithsecilit, e sidomos shkodranëve, e nuk ka nevojë të bëhet alarm krize dhe alarme të rreme. Pasi unë besoj se përveç një periudhe 4-5 javësh jo të mirë që ka kaluar skuadra për të cilën jemi të vetëdijshëm të gjithë, kemi një ekip shumë të mirë dhe fundi i fundit, asnjë ekip nuk del kampion në dhjetor. Flitet për probleme, flitet për kriza, por reale nuk është asnjë. Asnjë nuk ka lakuar probleme krize kur kemi qenë në vend të parë. Dhe marrim 2-3 rezultate negative e fillojnë e dalin probleme që nuk janë. Unë dua që skuadra të qëndrojë e qetë, të punojë, të mbyllë vitin me një fitore dhe të jemi të kënaqur. Pastaj analiza e gjithsecilit do të bëhet pasi të mbarojë ndeshja e fundit, do të ulemi bashkë me trajnerin, bashkë me lojtarët, do të diskutojmë me presidentin, do të diskutojmë çfarë është bërë mirë, çfarë nuk është bërë mirë. Ka vende për t’u korrigjuar, por ky është vetëm një moment “jo” dhe unë besoj që me fitoren e nesërme ta kalojmë dhe të jemi, padyshim që do të jemi, ndër ekipet që do të luftojnë për trofetë e këtij sezoni.

Kjo është skuadra për të cilën të gjithë kanë folur me superlativa dhe po këta njerëz janë, nga i pari, deri tek i fundit. Me 3-4 javë luhatje, filluan fjalët, filluan shumë gjëra që e theksoj që nuk janë reale. Kjo është skuadër që mund të afrohet dhe të kalojë të gjitha skuadrat, por gjithmonë duam qetësi, duam mbështetje, duam përkrahje. Sidomos prej shkodranëve. Kanë të drejtë që janë me ekipet e tjera njerëzit që janë me ekipet e tjera, që sulmojnë ekipet kundërshtare, por ne duam sidomos prej tifozëve dhe njerëzve që e duan Vllazninë.

Skuadra është e qetë, nuk besoj se ka trysni, e kam theksuar edhe herën e kaluar. Këta janë djem të fortë, djem me eksperiencë, djem që kanë luajtur dhe e dinë që futbolli ka luhatje. Këto luhatje që po kalojmë ne, jam i bindur që do t’i kalojnë të gjitha ekipet e tjera. Jam i bindur, dikush mund t’i ketë kaluar, dikush mund t’i kalojë. Asnjë skuadër nuk shkon përpjetë me 36 javë kampionat se i bie tavanit dhe thyen kokën, si i thonë. Gjithmonë do të ketë luhatje, por duhet të jenë luhatje  sa më të buta, sa më të shkurtra. Dhe unë jam i bindur se Vllaznia do të luftojë për trofetë e këtij sezoni deri në fund.

Unë vazhdoj ta theksoj se asnjë trepikësh nuk është i lehtë, kemi luajtur me të gjitha ekipet ndeshjet dhe i kemi parë. Është luftë për çdo pikë nga gjithsecili ekip. Luftë do të jetë për ne, luftë do të jetë për të gjithë deri në fund. Flamurtari ka një ekip që ndoshta nuk është në renditje dhe ndoshta flitet që nuk ka ekip të mirë, por Flamurtari ka një superekip, ka superlojtarë pavarësisht se renditja flet ndryshe dhe e dimë që do të kemi një ndeshje mjaft të fortë me të. Por shpresojmë në fund të fitojë Vllaznia.

Ndryshe nga faza e parë? Futbolli është luftë. Ndryshe nuk di çfarë do të them, për anën taktike e teknike të lojës mund të flitni me trajnerin. Por ndryshe unë dua nga skuadra, nga djemtë, nga të gjithë, maksimumin. Maksimumin në fushë, 100% të gjithsecilit. Ky është prioritet për ne, kur të japim më të mirën e gjithsecilit dhe ata që janë kthyer nga dëmtimet të kapin formën e tyre, besoj se do jemi ekip shumë solid dhe shumë i fortë.

Mungesat dihen. Është Dros që është i dëmtuar prej më shumë se dy muajsh, Hakaj ka probleme. Kurse pjesa tjetër besoj se janë të gatshëm të gjithë.

Vllaznia do të jetë gjithmonë aty në luftë me skuadrat e kreut dhe e theksoj se do të jetë pretendente për të fituar trofetë e këtij sezoni. Do ta shohim deri në fund dhe vazhdoj ta theksoj se në dhjetor asnjë nuk e fiton kampionatin”,



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×