
Kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke u ndalur veçanërisht te kërkesa e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe zhvillimet institucionale që lidhen me këtë çështje.
Ndreu theksoi se kryeministri Edi Rama nuk ka komentuar asnjëherë elementë të dosjes hetimore apo veprimet e brendshme të SPAK, pasi sipas tij këto janë çështje që i përkasin ekskluzivisht drejtësisë. Ai sqaroi se qëndrimi i Ramës ka qenë i fokusuar te aspekti procedurial dhe kushtetues i çështjes.
Sipas kryebashkiakut të Lezhës, Kushtetuta përcakton qartë se emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të kabinetit qeveritar është kompetencë e kryeministrit, një qëndrim që, sipas tij, është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Ndreu theksoi se përcaktimet kushtetuese kanë përparësi absolute ndaj çdo ligji apo kodi tjetër.
“Nëse një ligj parashikon diçka dhe Kushtetuta diçka tjetër, atëherë detyrimisht i referohesh Kushtetutës. Çështja e pezullimit është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese dhe aty bien poshtë interpretimet e tjera,” u shpreh Ndreu.
Ai shtoi se Këshilli i Mandateve ka marrë kohën e nevojshme për shqyrtimin e çështjes, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, është i qartë në lidhje me mospezullimin e Ballukut.
Ndreu u shpreh se krijimi i SPAK ka qenë një proces i vetëdijshëm, që do të sillte pasoja edhe për pushtetin politik, duke theksuar se Partia Socialiste nuk ka mohuar kurrë këtë realitet. Ai kritikoi ashpër ata që, sipas tij, historikisht kanë penguar rritjen dhe funksionimin e drejtësisë, duke sulmuar dhe fyer prokurorë e gjyqtarë.
“Sot Shqipëria duhet të gëzohet për një fakt të rëndësishëm: falë reformës në drejtësi dhe kontributit të PS, si qytetari i thjeshtë ashtu edhe pushtetari më i lartë paraqiten njësoj përpara SPAK-ut dhe gjykatave,” deklaroi Ndreu.
and then