
Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar një raport mbi Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si thelbësor për paqen dhe stabilitetin e kontinentit evropian.
Sipas raportit, interes strategjik i SHBA-ve është promovimi i rritjes ekonomike dhe zhvillimit demokratik në rajon. Supas raportit, reformat e ndërmarra vitet e fundit kanë sjellë përparim në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në forcimin e institucioneve dhe mbështetjen e të rinjve.
Megjithatë, raporti thekson se varfëria dhe papunësia në rajon mbeten më të larta krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Emigrimi i të rinjve sipas Kongresit amerikan, po ndikon negativisht në strukturën demografike dhe ka sjellë rënie të popullsisë në të shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kongresi i SHBA vëren se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në rajon dhe ka përfshirë edhe udhëheqës të lartë politikë.
“Korrupsioni, përfshirë atë mes liderëve kryesorë politikë, vazhdon të pllakosë Ballkanin Perëndimor dhe përfaqëson një nga pengesat më të mëdha për zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe politik në rajon”, thuhet në raportin e Kongresit amerikan, i cili thekson se korrupsioni përhapet veçanërisht në mjedise autokratike ose konfliktuale.
Raporti nënvizon gjithashtu se dezinformimi minon besueshmërinë e institucioneve dhe integritetin e proceseve zgjedhore. Cenueshmëria e teknologjisë së informacionit rrit rreziqet e sigurisë, ndaj sigurimi i rrjeteve kibernetike konsiderohet nga Kongresi amerikan prioritet i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.
Në aspektin gjeopolitik, SHBA vëren se varësia e Ballkanit Perëndimor nga burimet energjetike ruse pengon aspiratat për integrim në Bashkimin Evropian. Ulja e kësaj varësie është në interes strategjik të SHBA-ve. Gjithashtu, raporti thekson se ndikimi i Kinës në rajon shihet si negativ për demokracinë dhe procesin e integrimit evropian.
and then