“Të jemi në linjë me BE dhe SHBA”, Tabaku: Shqipëria ka nevojë për një ligj serioz për shqyrtimin e investimeve të huaja!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot ndaj propozimit të fundit të qeverisë për të ashtuquajturin shqyrtim të investimeve të huaja, duke e cilësuar atë si një nismë të vonuar, të pjesshme dhe larg standardeve euroatlantike që Shqipëria ka detyrim të zbatojë. Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se kërkesa për një mekanizëm real dhe funksional të screening-ut të investimeve të huaja ka qenë prej kohësh e qartë nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Sipas saj, propozimi aktual i qeverisë nuk i përgjigjet as seriozitetit të momentit dhe as rreziqeve reale me të cilat përballet vendi.

“Shqyrtimi serioz i investimeve të huaja nuk është një ushtrim formal, por një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e të dhënave dhe orientimin strategjik të Shqipërisë,” u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se vitet e fundit kanë nxjerrë në pah abuzime serioze me të dhënat personale të qytetarëve dhe bizneseve, si edhe skandale të rënda në institucione kyçe të shtetit.

Deputetja demokrate vuri theksin se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik: ose zgjedh rrugën europiane, me rregulla të qarta, transparencë dhe investime nga vende mike e aleate, ose rrezikon të rrëshqasë drejt marrëveshjeve të errëta, pa standarde dhe pa garanci sigurie.
Duke krahasuar nismën e qeverisë me rregulloren e Bashkimit Europian për screening-un e investimeve të huaja, Tabaku evidentoi se propozimi qeveritar kufizohet në mënyrë të pakuptimtë vetëm në sektorin e medias, duke lënë jashtë sektorë jetikë për sigurinë kombëtare, si infrastruktura portuale, teknologjia e informacionit, sistemet kritike softuerike dhe industria e mbrojtjes.

“Shqipëria nuk ka nevojë për ligje ‘sa për të kaluar radhën’, por për një legjislacion të fortë, të besueshëm dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së,” deklaroi Tabaku, duke theksuar se vetëm një qasje serioze dhe transparente mund të garantojë sigurinë kombëtare dhe të forcojë orientimin euroatlantik të vendit. Në përfundim, Tabaku riafirmoi angazhimin e opozitës për të mbështetur një kuadër ligjor modern dhe gjithëpërfshirës për shqyrtimin e investimeve të huaja, që mbron interesin publik, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×