
Drejtoresha e Informacionit në News24, Anila Jole, e ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka analizuar ndikimin që hetimet dhe goditjet e SPAK gjatë vitit 2025 kanë pasur mbi qeverinë, duke e cilësuar situatën si një nga momentet më të vështira politike dhe morale për mazhorancën.
E pyetur se sa është dobësuar qeveria nga këto zhvillime, Jole u shpreh se bëhet fjalë për një goditje shumë të madhe. “Ka edhe emra të tjerë të përfolur dhe më pas doli edhe dosja e AKSHI-t. Vetë kryeministri dhe qeveria ndodhen në një moment moral shumë të dobët, shumë të ekspozuar përballë publikut dhe drejtësisë,” tha ajo, duke shtuar se kjo situatë nuk i ngjan rasteve të mëparshme dhe se pas Vitit të Ri priten zhvillime vendimtare për mënyrën se si kryeministri do të qaset ndaj medias, publikut dhe zyrtarëve të tij të akuzuar.
Në analizën e saj, Jole ndaloi edhe te qëndrimet e ndryshme të kryeministrit Rama në raste të veçanta. Ajo krahasoi reagimin ndaj çështjes së Erion Veliajt, ku Rama deklaroi se “drejtësia të bëjë punën e saj”, me reagimin ndaj rastit të Belinda Ballukut, ku deklaratat ishin të njëpasnjëshme dhe çështja u çua deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi rikthimin e saj në detyrë.
Sipas Joles, reagimi i kryeministrit lidhet me frikën e krijimit të një precedenti. “Vendimi i Gjykatës së Posaçme për kthimin në detyrë të zonjës Balluku mund të krijojë një precedent për raste të tjera. Kjo është ajo përplasja e pushteteve që zoti Rama e përmend shpesh,” u shpreh ajo. Jole shtoi se ekziston shqetësimi se gjyqësori mund të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe me emra të tjerë të qeverisë, madje potencialisht edhe më lart në hierarki.
Ajo theksoi se data 22 janar do të jetë vendimtare për të kuptuar nëse Gjykata Kushtetuese do të krijojë një precedent të qartë: nëse gjykatat do të kenë të drejtën të pezullojnë zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion, pavarësisht peshës së funksionit të tyre, apo nëse kjo e drejtë do të kufizohet. “SPAK po afrohet shumë, ose tashmë është brenda qeverisë,” deklaroi Jole.
Në këtë kontekst, ajo kujtoi edhe qëndrimin ironik të kryeministrit ndaj rastit Veliajt, kur Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë, duke treguar sipas saj mospëlqimin e tij ndaj ndërhyrjes së gjyqësorit në çështje të tilla.
Duke u ndalur te skandali i AKSHI-t, Jole u shpreh se kjo dosje ndoshta nuk është e re, por “i ka ardhur koha të dalë”. Sipas saj, SPAK nuk ka arsye të presë, nëse dosja është e plotë dhe e gatshme. “Implikimi i strukturave shtetërore, roli i njerëzve në hije, pengmarrjet e biznesmenëve dhe përfshirja e AKSHI-t, një institucion që administron të dhënat personale të çdo shqiptari përmes e-Albania, është nga gjërat më të rënda që kam dëgjuar,” tha ajo.
and then