“Skandalet e qeverisë janë bërë rutinë”, Salianji: Zv/kryeministrja është kapur duke përcaktuar miliona euro tendera, AKSHI në shërbim të karteleve

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar takimin e tij të paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka mbajtur një fjalim me tone të forta politike, duke u ndalur te skandalet e qeverisë, përfshirë çështjen e AKSHI-t dhe dosjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, Salianji e cilësoi Shkodrën si simbol të rezistencës ndaj padrejtësisë. “Shkodra është rezistencë ndaj padrejtësisë dhe nuk kishte si të ishte ndryshe edhe sot. Sot flasim për të vërtetën dhe ndryshimin që duan shqiptarët,” u shpreh ai përpara mbështetësve.

Sipas Salianjit, qeveria aktuale ka humbur çdo lidhje me qytetarët dhe funksionon si një sistem i korruptuar. “Kjo qeveri është e korruptuar deri në palcë. Shqipëria nuk e meriton këtë realitet. Skandalet janë bërë rutinë,” deklaroi ai, duke theksuar se në vende normale një ministër që dështon jep dorëheqjen ose shkarkohet, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, dorëheqja nuk njihet.

Ai e cilësoi këtë situatë si një degjenerim të pushtetit, ku askush nuk mban përgjegjësi për abuzimet. “Kjo nuk është rastësi, por filozofia qeverisëse e Edi Ramës. Sot kemi një Shqipëri të lodhur dhe të zemëruar, ku qytetarët paguajnë koston e çdo abuzimi,” tha Salianji.

Duke iu referuar konkretisht dosjeve të fundit, ai akuzoi qeverinë për përfshirje në afera të rënda. “Kur zëvendëskryeministrja kapet duke përcaktuar miliona euro tendera me bekimin e kryeministrit dhe kur AKSHI kthehet në shërbim të karteleve kriminale, siç u pa në rastin e Ergys Agasit, shqiptarët e shohin qartë realitetin,” u shpreh ai.

Megjithatë, Salianji theksoi se veprimet e SPAK kanë dhënë shpresë për shoqërinë shqiptare. Sipas tij, drejtësia po tregon se mund të prekë edhe nivelet më të larta të pushtetit. “SPAK ka treguar se drejtësia mund të arrijë majat e pushtetit. Me fakte po dëshmon pavarësinë e tij dhe kjo është një shpresë e madhe që duhet mbështetur,” deklaroi ai.

Në përfundim, Salianji theksoi se drejtësia penale nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë politike. “SPAK dhe GJKKO gjykojnë faktin, politika gjykon ndërgjegjen. Përgjegjësia politike është detyrim i qeverisë dhe i kryeministrit, ndërsa opozita ka detyrimin ta bëjë këtë qeveri të largohet,” tha ai, duke shtuar se kryeministri Rama mban përgjegjësi për çdo skandal, për zgjedhjet e ministrave dhe zyrtarëve të tij, si dhe për lidhjet e pushtetit me krimin.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×