
E diela e fundit e këtij viti në qarkun e Elbasanit, ka qenë e përgjakur në disa segmente rrugore duke shënuar disa aksidente të rënda rrugore brenda pak orësh, me pasojë humbjen e jetës dhe plagosjen e këmbësorëve.
Ngjarja më e rëndë është regjistruar në orët e pasdites në aksin rrugor Qafë Thanë–Elbasan, ku një automjet i drejtuar nga një 31-vjeçar ka përplasur për vdekje një grua 64-vjeçe, e cila po kalonte rrugën si këmbësore.
Pavarësisht ndihmës së dhënë, 64-vjeçarja ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes së fortë. Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Vetëm pak orë më pas, një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur pranë qytetit të Elbasanit, ku një motomjet ka përplasur një këmbësor, duke i shkaktuar plagë të rënda. Për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës për ndihmë më të specializuar. Ndërkohë, drejtuesi i motorit ka mbetur gjithashtu i dëmtuar dhe po merr mjekim në spitalin e Elbasanit.
E diela e 28 dhjetorit nuk ka përfunduar pa incidente të tjera. Në aksin rrugor Tiranë–Elbasan, dy mjete janë përfshirë në një përplasje të fortë, por fatmirësisht nga ky aksident raportohet vetëm për dëme materiale, pa persona të lënduar.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtyre ngjarjeve, ndërsa apelojnë për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, veçanërisht gjatë lëvizjes në akset nacionale në këto ditë me trafik të rënduar.
and then