Shehaj ngre alarmin për AKSHI-n: Pronat tona në rrezik! SPAK po heton ndërhyrjet e bandave në Kadastër

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka ngritur sot alarmin për rrezikun serioz që paraqet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për sigurinë e të dhënave personale dhe pronat e qytetarëve shqiptarë.

Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se AKSHI ka në dorë çdo informacion jetik për qytetarët, përfshirë të dhënat e pronësisë, shëndetit, biometriket, lëvizjet, gjobat dhe llogarivtë bankare, duke theksuar se ky është një rrezik i madh për çdo qytetar nën dritën e zbulimit nga SPAK se AKSHI kontrollohet nga bandat kriminale.

Shehaj theksoi se sipas hetimeve të SPAK-ut, përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku janë ndryshuar pronarë pronash. Ai e cilësoi këtë situatë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pronën dhe sigurinë juridike të çdo qytetari.

“Është e paimagjinueshme që drejtoresha e AKSHI-t, e vendosur në arrest shtëpie dhe e cilësuar nga SPAK si pjesë e një bande kriminale, vazhdon të mbahet në detyrë nga Edi Rama, ndërkohë që ka akses mbi çdo të dhënë të jetës sonë,” u shpreh Shehaj.

Sipas tij, heshtja e kryeministrit Rama dhe mbajtja në detyrë e zyrtarëve nën hetim përbëjnë një rrezik serioz për demokracinë, pasi krijojnë kushte që të dhënat personale dhe pronësore të qytetarëve të përdoren për shantazh, presion apo manipulim.

Shehaj i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos e normalizojnë këtë situatë, duke paralajmëruar se sot rrezikohen pronat, ndërsa nesër mund të vihet në rrezik vetë liria personale përmes keqpërdorimit të të dhënave biometrike.

“Qeveria Rama dhe bandat e saj kontrollojnë çdo aspekt të jetës sonë. Ka pasur raste kur kanë ndërruar pronarët e pronave. Sot janë pronat. Nesër me të dhënat tona biometrike mund të inkriminojnë kë të duan, kur të duan.

Kjo nuk është demokraci. Jemi të gjithë pengje të Bandave!” – thotë Shehaj mes të tjerash.

Fjala e Agron Shehaj:

Para disa ditësh, një miku im më shkruajti e më tha: “Mora përgjigje të analizave të gjakut në e-Albania. Çfarë do të thotë kjo, që Mirlinda Karçanaj dhe banda e saj, apo edhe qeveria, dinë çdo lloj informacioni? Dinë edhe përgjigjet e analizave të gjakut që mora unë?”

Përgjigja është: Po! Absolutisht, po.

Por jo vetëm kaq. Çfarë është më e rëndë, është që SPAK-u ka zbuluar që, nëpërmjet AKSHI-t, kanë futur duart në Kadastrën, kanë ndryshuar pronarët e disa pronave dhe për këtë po heton SPAK-u.

Është e paimagjinueshme pushteti që ka AKSHI, dhe drejtoresha e Edi Ramës që vazhdon të jetë në detyrë, pavarësisht se SPAK-u e ka vendosur në arrest në shtëpi. Mund të fusin duart kudo! Kanë në dorë pronat tona. Kanë çdo lloj informacioni që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme: nga gjendja jonë shëndetësore, sëmundjet, ilaçet, hyrjet dhe daljet në Shqipëri, gjobat që marrim. Çdo lloj informacioni që kalon nëpërmjet AKSHI-t është në dorë të Mirlinda Karçanaj, për të cilën SPAK-u thotë që është pjesë e një bande kriminale. Dhe Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.

Duhet të zgjohemi! Është skandal ajo që po ndodh. Jeta jonë, jeta e çdo qytetari të Shqipërisë, është në duart e Mirlinda Karçanaj, një anëtare e një bande kriminale, që Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×