
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në studion e News24, ka folur për aktualitetin politik në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te puna e SPAK dhe hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Sipas tij, vendi ndodhet në një moment historik, ku për herë të parë zyrtarë të lartë po përballen realisht me drejtësinë.
Shehaj theksoi se është e domosdoshme që zëri i qytetarëve që mbështesin drejtësinë të dëgjohet fort, për të treguar se shqiptarët janë në anën e ligjit dhe jo të të korruptuarve. Ai paralajmëroi për përpjekje të vazhdueshme për të marrë “peng drejtësinë” dhe për ta paraqitur procesin aktual si padrejtësi, duke manipuluar opinionin publik.
Sipas tij, veçanërisht mazhoranca po ushtron presion dhe po tenton të denigrojë punën e drejtësisë, gjë që, sipas Shehajt, ka ndikim negativ edhe te të rinjtë, duke i orientuar ata në mbështetje të figurave të korruptuara. Ai u shpreh se sot në Shqipëri ekzistojnë dy kampe të qarta: nga njëra anë, zyrtarët e korruptuar që paraqiten çdo ditë para SPAK-ut dhe, nga ana tjetër, qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie.
Duke komentuar deklaratat e ministrit të Drejtësisë për amnisti, Shehaj tha se ato vijnë në një moment delikat, kur prokuroria ka kërkuar arrestimin e zëvendëskryeministres Balluku dhe mazhoranca, sipas tij, e ka marrë në mbrojtje. Ai theksoi se nga një amnisti e tillë do të përfitonin jo vetëm qytetarë me shkelje të lehta, por edhe zyrtarë të dënuar për shpërdorim detyre dhe afera tenderash.
Shehaj e krahasoi situatën aktuale me rënien e regjimit komunist, duke thënë se 35 vite më pas po ndodh një ndryshim historik, ku figura të fuqishme politike po dalin përpara drejtësisë. Ai përmendi raste që më parë konsideroheshin të paimagjinueshme, si arrestimi i ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe hetimet ndaj dy zëvendëskryeministrave radhazi, Ahmetaj dhe Balluku.
Sipas tij, për të pasur zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale, lufta kundër korrupsionit është e domosdoshme. Ai hodhi poshtë mundësinë e bashkimit pa kushte me forca të tjera opozitare, duke argumentuar se kjo do të rrezikonte besueshmërinë e Partisë Mundësia, veçanërisht nëse bashkëpunimi bëhet me subjekte që sulmojnë hapur SPAK-un dhe prokurorët.
and then