“Range Rover, një nga 2 mjetet që u përfshi në pengmarrjen e Renis Dobrës”, detaje nga dosja hetimore, “Në Shënjestër”: Aleksandër Bushkgjokaj e mori me qira

Nga informacionet e marra ne rrugë operative rezultoi se njëri nga automjetet që mori pjesë në rrëmbimin, mbajtjen peng dhe më pas vrasjen e shtetasit Renis Dobra ka qenë automjeti tip “Range Rover”, me targë AA 333 RM, me ngjyrë të zezë.

Emisioni “Në Shënjestër” me autore Klodiana Lalën, ka publikuar detaje nga dosja hetimore për vrasjen e Renis Dobrës ku ndër të tjera thuhet se pas verifikimit, ka rezultuar se ky automjet është në pronësi të subjektit ‘Rental C.. O…..’, me përfaqësues shtetasin B.V, subjekt i cili jepte makina me qira.

Menjëherë sapo shkuan në pikën e dhënies me qira të automjeteve, oficerët e policisë gjyqësore mësuan edhe për personin që kishte marrë makinën me qira.

Ky person rezultoi të ishte 24 vjeçari Aleksandër Bushgjokaj.

Marrja e makinës me qira prej tij që u vërtetua edhe nga kontrata që ai kishte firmosur me konceisionarin.

Aleksandër Bushgjokaj që siç del edhe më pas është vëllai i Fation Bushgjokaj.

Personit që dy ditë më pas ktheu makinën dhe kërkoi që t’i hiqej gps, me arsyetimin se automjeti ishte përdorur nga vëllai i tij në një grabitje.

Gjë që u refuzua nga administratori i kompanisë, që siç thamë në krye të herës, nuk pranoi që të hiqte gps-in nga makina.

Pjesë nga dokumentari

Kamera të cilat ditën para ngjarjes fokusuan dy makina të lëviznin njëra pas tjetrës, në intervale të shkurtra kohore, nga qyteti i Burrelit në drejtim të fshatit Zenisht.

Konkretisht një automjet tip ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë dhe pas tij gjithmonë në lëvizje një automjet tip ‘Hyundai’ Santa Fe’, i bardhë.

Dy makinat të cilat vihen re po së bashku këtë herë në rrugën Burrel-Shkopet.

Ku nga pas tyre ajo që i ndjek është një makinë ‘Mercedes Benz’ ngjyrë ulliri, që rezultoi të jetë në pronësi të shtetasit Rufat Dobra, babai i tashmë viktimës, 23 vjeçarit Renis Dobra.

Lëvizje të cilat ndodhin në intervalin kohor midis orës 22.10 të mbrëmjes së datës 8 Korrik dhe deri në momentin kur humbasin nga sytë e kamerave të sigurisë, pas orës 22.40 min të po kësaj mbrëmje.

Dosja Hetimore

Në orën 22.02 kamerat që mbulojnë ‘Urën e Matit’, fokusojnë një automjet tip ‘Range Rover’, me ngjyrë të zezë, që lëviz me drejtim qytetin e Burrelit. Vetëm 20 sekonda, pas këtij automjeti vihet re një fuoristradë me ngjyrë të bardhë në karakteristika si ato të tipit ‘Hyundai’. Dhe vetëm disa sekonda pas këtij automjeti, konstatohet një ‘Mercedes Benz’, me karakteristika si ai i shtetasit Rufat Dobra.

Bazuar në pamjet filmike të siguruara po nga kamerat në qytet, këto tri automjete shikohen edhe në vazhdim duke ndjekur njëra-tjetrën.

Gjë që vihet re edhe në vazhdim deri në daljen e tyre nga qyteti i Burrelit, në orën 22.09 min.

Ku fillimisht i pari që kalon është automjeti tip ‘Range Rover’.

Dhe pas tij ai ‘Hyundai’ Santa Fe, i bardhë.

Dhe i fundit, vetëm dy minuta në distancë, ai ‘Mercedes Benz’ i drejtuar nga Renis Dobra.

Dosja Hetimore

Në orën 22:09, në dalje të qytetit të Burrelit, rruga e vjetër sipas aksit rrugor Milot-Burrel, vihet re një automjet tip fuoristradë me ngjyrë të bardhë, që lëviz në drejtim të Milotit. Ndërsa automjeti tip ‘Range Rover’, me ngjyrë të zezë, ka kaluar më parë. Vetëm dy minuta më pas në orën 22:11:52 në dalje të qytetit të Burrelit, vihet re automjeti tip ‘Mercedes Benz’ i viktimës Renis Dobra, në distancë rreth 2 minuta e 30 sekonda nga automjeti tip fuoristradë, me ngjyrë të bardhë. Itinerar i lëvizjes së tre automjeteve që është i njëjtë në drejtim të rrugës së vjetër të Shkopetit, sipas aksit rrugor ‘Milot-Burrel’.

Për herë të fundit automjeti ‘Hyundai’ Santa Fe, i bardhë dhe bashkë me të edhe ai ‘Mercedes Benz’ ngjyrë ulliri, i drejtuar nga Renis Dobra, vihen re nga kamerat e një lokali fare pranë vendit ku u gjet më pas e hedhur makina e viktimës, në orën 22.39 të kësaj mbrëmje.

Çka lë të hamendësohet se fillimisht makinat janë ndalur në rrugë për një kohë të gjatë. Bazuar kjo në orën kur ato janë parë të dalin nga qyteti i Burrelit për në drejtim të rrugës së Milotit, që përshkon edhe liqenin e Shkopetit.

Dosja Hetimore

Në orën 22:39 min, automjeti tip ‘Fuoristradë’ me ngjyrë të bardhë dhe automjeti tip ‘Mercedes Benz’ i viktimës Renis Dobra janë konstatuar nga kamerat e lokalit ‘M… ‘, në afërsi të vendit të ngjarjes.

Fill pas këtij momenti makina të cilën Renis Dobra drejton humbet nga sytë e kamerave. Ndërkohë që dy makinat e tjera ajo ‘Range Rover’ i zi dhe ‘Hyundai’ Santa Fe. i bardhë, shikohen të lëvizin në akse të ndryshme kombëtare.

Çka çoi grupin hetues në dyshimin se në drejtimin e këtyre dy automjeteve janë autorët që kanë lidhje me rrëmbimin dhe mbytjen e Renis Dobrës, mbrëmjes e datës 8 Korrik.

Ku makina ‘Mercedes Benz’ që ai drejtonte por që ishte në pronësi të babait të tij, u gjet e hedhur në liqenin e Shkopetit.

Renis Dobra i cili në skedarët e policisë rezulonte i dënuar në Gjermani.

Dhe ishte i përfshirë në një konfflikt që kishte lindur për një sasi droge të humbur.

Ku ishte në përplasje me shtetasin Egri Hani, alias Egri Koçi.

Edhe ky një personazh me rekorde të shumta penale si brenda dhe jashtë vendit.

Dosja Hetimore

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se viktima Renis Dobra ka qenë i dënuar në Gjermani për vepra penale në fushën e lëndëve narkotike dhe atje ka pasur konflikt me shtetasin Egri Hani alias Egri Koçi, për shkak të prishjes së pazareve të drogës dhe konflikti ka qenë i pambyllur. Për këtë shkak hetimet fillimisht janë përqëndruar në pistën e hakmarrjes ndaj shtetasit Renis Dobra nga ana e shtetasit Egri Hani ose ndryshe Egri Koçi, i cili aktualisht ndodhet nën efektin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘Arresti në shtëpi’, si i dyshuar për veprën penale ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’.

Ku gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Egri Hani alias Egri Koçi, nuk janë gjetur sende të kundërligjshme, por janë sekuestruar disa aparate telefonikë celularë, me qëllim kryerjen e ekzaminimeve, si dhe janë gjetur lista me emra dhe numra telefoni gjerman.

Por pasi nuk u gjet asgjë kompromentuese në banesën e shtetasit Egri Hani, paralelisht policia vazhdoi ndjekjen dhe survejimin e dy automjeteve që ishin parë të lëviznin njëkohësisht me makinën e drejtuar nga Renis Dobra, mbrëmjen e rrëmbimit dhe vrasjes së tij.

Fillimisht në kërkim u vendos automjeti ‘Hyundai’ Santa Fe, i bardhë.

Ku kërkimi i parë i çoi në një adresë të gabuar.

Nga ku rezultoi se makina që ndodhej në garazh nuk ishte ‘Hyundai’ me ngjyrë të bardhë që ata po kërkonin.

Kjo e konfirmuar edhe nga alibia e qëndrueshme e pronarëve të mjetit, që atë mbrëmje me makinën e tyre ‘Hyundai’, kishin qenë në një darkë familjare, në një restorant në luginën e Patokut.

Makinë e cila përfundoi në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, por që pas verifikimit rezultoi se kishte karakteristika të ndryshme nga ‘Hyundai’ i bardhë që ishte parë natën e krimit të lëvizte me makinën e Renis Dobrës.

Por ndërsa grupi hetues u vu në kërkim të ‘Hyundait’ të bardhë, një tjetër grup i oficerëve të policisë u ndal te automjeti tip ‘Range Rover’, i zi.

Që edhe ky atë natë ishte përgjatë gjithë kohës në lëvizje në shoqërinë e makinës së drejtuar nga Renis Dobra dhe ajo ‘Hyundai’ e bardhë.

Makina ‘Range Rover’ që shpejt u konfirmua si një automjet i marrë me qira pranë aeroportit të Rinasit.

Dhe bashkë me të u identifikua edhe personi që e kishte marrë me qira.

Nga verifikimet e kryera pranë këtij subjekti ka rezultuar se shtetasi Aleksandër Bushgjokaj alias Aleksander Bushgjokaj, i datëlindjes 15 Korrik 2001, më datë 7 Korrik 2025 ka marrë me qira automjetin tip ‘Range Rover’, me targë AA 333 RM, me ngjyrë të zezë dhe kjo vërtetohet me kontratën e mbajtur nga ana e subjektit ‘Rental C.. O….’, me përfaqësues shtetasin B. V, ku bashkëlidhur kontratës janë edhe fotokopja e dokumenteve të identifikimit.

Marrja e makinës ‘Range Rover’ me qira nga ana e Aleksandër Bushgjokaj u provua edhe nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë të vendosura në këtë sallon.

Si dhe nga dëshmia e përfaqësuesit të konceisionarit që rrëfeu se si ai u paraqit në pikën e tyre më datë 5 Korrik se bashku me vëllain e tij Fationin.

Fillimisht për të marrë një ‘Audi’ A4.

Dhe më pas një ‘Ëolksëagen’ Golf 7.

B.V që merret me përpilimin e kontratave të automjeteve të dhëna me qira, deklaroi fillimisht se më datë 5 Korrik 2025, ai ka pranuar një telefonatë në numrin e tij, ku personi nga krahu tjetër i telefonit i ka kërkuar të marrë me qira një automjet tip ‘Volksëagen Golf 7’.

B.V deklaroi se këta persona nuk i njihte, pasi ishte hera e parë që vinin në pikën e tyre

Ai ka mundur të identifikojë vetëm nëpërmjet dokumenteve shtetasin Fation Bushgjokaj, i cili ka marrë fillimisht me qira një automjet tip ‘Audi’ A4 të cilin e ka sjellë një ditë më pas, më datë 6 Korrik.

Por në këtë datë, sipas punonjësit të kompanisë, Fation Bushgjokaj, pasi ka dorëzuar automjetin tip ‘Audi’ A4, ka marrë me qira një tjetër automjet ‘Ëolksëagen Golf 7’, me targë AB 741 RB, për pesë ditë, me çmimin 30 euro/dita, ku ka perpiluar edhe kontratën perkatëse.

Por pasi ka marrë me qira automjetin ‘Ëolksëagen’ Golf 7, një ditë më pas, më datë 7 Korrik, Fation Bushgjokaj, sipas dëshmisë së dhënë nga përfaqësuesi i koncesionarit, është paraqitur sërish në pikën e marrjes së makinave me qira.

Këtë herë për të marrë një automjet tip ‘Range Rover’, që mbante targat AA 333 RM.

Më datë 7 Korrik 2025, shtetasi Fation Bushgjokaj ka kërkuar të marrë me qira automjetin tip ‘Range Rover’, me targa AA 333 RM dhe i ka kërkuar që t’ia linte me qira me çmim 105 euro/dita. Rreth orës 14:09 të datës 7 Korrik 2025, në vendin ku jepen makinat me qira, ka shkuar shtetasi Fation Bushgjokaj së bashku me vëllain e tij, shtetasin Aleksandër Bushgjokaj, të cilët kanë shkuar aty me automjetin tip ‘Ëolksëagen’ Golf 7 të marrë me qira dhe kanë përpiluar kontratën për automjetin tip ‘Range Rover’, me targë AA 333 RM,  ku kontratën e ka bërë në emër të shtetasit Fation Bushgjokaj me çmim 105 euro dita dhe pasi kanë marrë automjetin me qira janë larguar.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×