
Presidenti i Paneuropa–Shqipëri, Genc Pollo, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me vendimin e Bashkimit Europian për t’i akorduar Ukrainës dhe Moldavisë roaming normal, i njohur si “roaming like at home”, ku qytetarët paguajnë për internetin dhe thirrjet aq sa në vendin e tyre.
Pollo ka përgëzuar palët e përfshira për këtë hap, duke theksuar se bëhet fjalë për një masë konkrete dhe të prekshme për qytetarët. Megjithatë, ai ngre shqetësimin se Ballkani Perëndimor, megjithëse me popullsi më të vogël se Ukraina dhe gjeografikisht më pranë qendrës së Europës, vijon të mos përfitojë nga ky lehtësim i premtuar prej vitesh.
Sipas Pollos, vonesa për realizimin e këtij angazhimi mbetet e pashpjeguar, ndërsa ironizon se përgjigjet mund të vijnë vetëm pas përfundimit të debateve të brendshme politike apo deklaratave formale nga përfaqësues të BE-së për standardet demokratike.
Ai thekson se masa si roamingu normal janë hapa realë dhe të prekshëm të integrimit europian për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga afatet që, sipas tij, mbeten jorealiste për mbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030. Pollo argumenton se këto objektiva janë të paarritshme për një sërë arsyesh, duke përmendur edhe problemet e qeverisjes në rajon.
Pollo u shpreh se hapat konkretë me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, si roamingu normal dhe përfshirja në sistemin SEPA me tarifa minimale bankare për pagesat me eurozonën, do të ishin shembuj pozitivë dhe të dobishëm të afrimit real të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
and then