Pas 15 orësh radhë të gjata e kaos, rikthehet normaliteti në aksin Elbasan-Librazhd-Prrenjas

Pas një situate tejet problematike që zgjati nga orët e para të mëngjesit deri rreth orës 23:00 të ditës së djeshme, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd–Prrenjas i është rikthyer normalitetit.

Kaosi rrugor, i shkaktuar nga ngricat tejet të mëdha dhe reshjet e dëborës, la të bllokuara mijëra automjete dhe dhjetëra mijëra pasagjerë, të cilët u detyruan të kalojnë orë të tëra në rrugë, në kushte të vështira atmosferike.

Situata u përkeqësua ndjeshëm në segmentet më problematike të këtij aksi, të njohura për prezencën e shpeshtë të ngricave, si “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku mungesa e ndërhyrjes në kohë bëri që qarkullimi të paralizohej pothuajse totalisht.

Automjetet u rreshtuan në kolona të gjata, të cilat në disa raste arritën deri në dhjetëra kilometra nga Fushë Labinot i Elbasanit deri te Ura e Bushtricës në bashkinë e Prrenjasit duke krijuar një situatë e paprecedentë për këtë aks kombëtar.

Sipas burimeve nga terreni, nëse firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e këtyre segmenteve rrugore do të kishin qenë në gadishmëri dhe do të kishin ndërhyrë në kohë me hedhjen e kripës në zonat problematike, situata nuk do të kishte dalë jashtë kontrollit. Mungesa e masave parandaluese dhe vonesa në reagim u kthyen në faktorë kyç që çuan në bllokimin masiv të qarkullimit.

Vetëm pas ndërhyrjes shumë të vonuar dhe përmirësimit gradual të kushteve atmosferike, qarkullimi nisi të normalizohej, duke i dhënë fund një dite të gjatë dhe tejet të vështirë për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.

Ndërkohë, kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze dhe kërkesa për përgjegjësi dhe planifikim më të mirë nga institucionet dhe subjektet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×