
Valbona Zeneli në një intervistë për median italiane “Formiche”, shprehet se kapja e Maduro-s përfshihet plotësisht në “Kornizën Trump” të Doktrinës Monroe dhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, si një riafirmim i qartë i parandalimit dhe i konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha.
Operacioni, i përgatitur prejt vitesh presioni ligjor dhe strategjik, hap për Uashingtonin një dritare të rrallë për të ridizenjuar sigurinë hemisferike dhe, për Venezuelën, një fazë të pasigurt, por potencialisht vendimtare të tranzicionit politik.
“Operacioni ushtarak amerikan që dje çoi në kapjen e diktatorit venezuelian Nicolás Maduro dhe të bashkëshortes së tij, ishte një sukses i jashtëzakonshëm në aspektet e përmasës, saktësisë dhe kohëzgjatjes, dhe është plotësisht në përputhje me të ashtuquajturën ‘Korniza Trump’ të Doktrinës Monroe, siç është përcaktuar qartë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, për të cilën folëm së bashku sapo u publikua, në dhjetor 2025”, komenton Valbona Zeneli, eksperte e marrëdhënieve transatlantike në Atlantic Council dhe anëtare e bordit këshillimor të Decode39, në një bisedë me Formiche.net.
Qëllimi është i qartë: të forcohet rrjeti i sigurise me fqinjet me te afert te Shteteve të Bashkuara dhe te gjithë hemisferes perëndimore, duke kufizuar ndikimin kinez dhe rus “Në këtë rast, politika amerikane udhëhiqet kryesisht nga imperativë gjeopolitikë dhe të sigurisë dhe përfshihet plotësisht në kuadrin e konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha. Menjëherë pas këtij operacioni të suksesshëm dhe efektiv, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në konferencë për shtyp: ‘Ne po riafirmojmë fuqinë amerikane’”.
Zeneli shpjegon se, së pari, operacioni amerikan erdhi pas muajsh presioni mbi regjimin venezuelian që të eliminonte trafikun e drogës. Në vitin 2020, Maduro u akuzua në Shtetet e Bashkuara ne lidhje me trafikun e narkotikëve dhe me veprimtari kriminale të ndërlidhura, përfshirë edhe atë të narko-terrorizmit.
“Akuzat në Gjykatën e Distriktin Jugor të Nju Jorkut pasqyronin akuzat e vazhdueshme amerikane se qeveria e Maduro-s kishte nxitur kontrabandën në shkallë të gjerë të kokainës në bashkëpunim me grupe kriminale. Në thelb, operacioni nuk ishte befasi, por ishte paraprire nga paralajmërime të përsëritura dhe sinjale te vazhdueshme që tregonin gjasën e një veprimi të tille”. Për më tepër, mbi kokën e kreut të regjimit dictatorial venezuelian tashmë ekzistonte një shpërblim prej 50 milionë dollarësh, për informacione që do të çonin në arrestimin ose dënimin e tij për vepra të lidhura me trafikun e drogës.
“Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e përcakton në mënyrë eksplicite trafikun e drogës si një kërcënim për sigurinë kombëtare, duke i inkuadruar përpjekjet për luften kunder trafikut narkotik jo vetëm si veprimtari policore, por si një përparësi qendrore të lidhur me mbrojtjen dhe sigurine kombetare dhe me konkurrencën midis fuqive të mëdha”.
Së dyti, ky operacion ka pasoja të rëndësishme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, ate rajonale dhe globale. “Heqja nga pushteti e një diktatori te hapur antiamerikan, të përfshirë në trafikun e narkotikëve, në flukset e migracionit të parregullt dhe në dhënien e aksesit strategjik për Kinën, Rusinë dhe Iranin në hemisferin perëndimor, përfaqëson një përfitim për stabilitetin ndërkombëtar.
Në këtë këndvështrim, ai është më shumë sesa një sinjal për qeveritë armiqësore ne rajon, si Kuba dhe Nikaragua: përfaqëson një riafirmim më të gjerë të deterrences dhe mbrojtes, që do të regjistrohet qartë në Pekin dhe Moskë si provë e vendosmërisë së administratës për të mbështetur një rend sigurie në përputhje me interesat e Shteteve të Bashkuara”. Uashingtoni mund të ketë sinjalizuar gjithashtu një angazhim të rinovuar për sigurinë hemisferike në dritën e lajmeve mbi lojërat ushtarake të Ushtrise Clirimtare Popullore kineze në rajon dhe të refuzimit të Pekinit, në strategjinë e tij të re për Amerikën Latine, për të njohur rëndësinë e veçantë të rajonit për sigurinë e SHBA-së.
Elementi i tretë: a shënon operacioni amerikan që largoi regjimin autoritar shumëvjeçar në Venezuelë (fillimisht nën Hugo Chávez-in dhe më pas nën Nicolás Maduro-n) fillimin e një restaurimi të mundshëm demokratik në vend? “Pas dekadash vështirësish ekonomike dhe dhune, venezuelianët dëshirojnë t’i rikthehen institucioneve të tyre dhe ekziston një shpresë e re që presidenti i zgjedhur González, i konsideruar gjerësisht fituesi legjitim i zgjedhjeve të vitit 2024, të mund të marrë detyrën”.
Por a ka qenë kjo një “ndryshim regjimi” në kuptimin në të cilin përshkruhet? “Larg së dobësuari multilateralizmin dhe të drejtën ndërkombëtare, siç pretendojnë disa, ngjarjet e djeshme vënë në dukje se përpjekjet multilaterale kishin dështuar tashmë vite më parë në ndalimin e erozionit demokratik, kriminalitetit dhe trafikut të narkotikëve.
Që nga dje, Venezuela ka hyrë në një fazë të re dhe të pasigurt, por plot shpresë, me mundësinë e një qeverisjeje më të mirë dhe të një të ardhmeje më të lirë e më të begatë”. Maduro nuk njihej si udhëheqës legjitim nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, siç e ka rikujtuar edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen; ai u mund në zgjedhjet e vitit 2024 dhe ishte bërë gjithnjë e më i izoluar për shkak të urdhrave dhe akuzave ndërkombëtare. Gjykata Penale Ndërkombëtare, gjithashtu, ka në proces një hetim mbi krime të dyshuara kundër njerëzimit në Venezuelë që ka nisur në vitin 2021.
Në përmbledhje, sipas Zenelit, “suksesi i operacionit amerikan hap një dritare të rrallë për Uashingtonin për t’i përkthyer objektivat e tij të sigurisë në përfitime konkrete strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe për komunitetin më të gjerë ndërkombëtar”.
Po në Venezuelë? “Për opozitën dhe shoqërinë civile venezueliane, ky moment përfaqëson një pikë kthese të ngushtë, por vendimtare, që do të kërkojë koordinim dhe mobilizim të shpejtë për të arritur një ndryshim të qëndrueshëm politik.
Siguria energjetike do të jetë po aq thelbësore për të ardhmen e Venezuelës: natyra e një qeverie të mundshme tranzicioni, mjedisi i përgjithshëm i sigurisë, mbrojtja e fushave të naftës dhe porteve, si dhe vendimet amerikane mbi sanksionet dhe menaxhimin e të ardhurave do të përcaktojnë nëse prodhimi mund të rifillojë në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme, duke mbështetur si rimëkëmbjen kombëtare, ashtu edhe tregjet energjetike globale.”
and then