
Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar sërish nga sheshi para Kryeministrisë që ai e pagëzoi “Sheshi i Rezistencës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, vjedhje të pronave publike dhe mungesë totale përgjegjësie institucionale.
Lapaj u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos qëndrojnë më indiferentë.
“Mos u çoni vetëm për hallin tuaj”, tha Lapaj duke theksuar se shoqëria shqiptare nuk duhet të reagojë vetëm kur preket interesi personal, por të ngrihet për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen e vendit.
“Mos u kujtoni të brohorisni vetëm për hallin tuaj. Çohuni për shoqërinë, për vendin, për demokracinë”, u shpreh ai.
Sipas Lapajt, vjedhja e pronave vijon çdo ditë, ndërsa institucionet nuk reagojnë. Ai akuzoi drejtpërdrejt qeverinë dhe ministra të saj për përvetësim të fondeve publike, duke përmendur edhe sektorin e infrastrukturës.
“Paratë tuaja nuk duhet t’i vjedhë Balluku. Na duhen tunele me hekur, jo vjedhje”, deklaroi Lapaj.
Ai shtoi se mungesa e ilaçeve në spitale, aksidentet tragjike rrugore dhe përmbytjet janë pasojë direkte e korrupsionit dhe standardeve të ulëta.
Lapaj ngriti shqetësimin edhe për sektorin e bujqësisë, duke thënë se subvencionet janë vjedhur dhe askush nuk mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.
“Askush nuk mbajti përgjegjësi për përmbytjet, për dëmet në bujqësi. Subvencionet janë vjedhur, pse heshtni?”, tha ai.
Një tjetër pikë e fortë e fjalimit ishte emigrimi masiv i të rinjve dhe plakja e popullsisë.
“Rinia po ikën, vendi po zbrazet, popullsia po plaket. Luftoni për fëmijët tuaj që të mos largohen nga Shqipëria”, apeloi Lapaj.
Lapaj denoncoi edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës, ku u arrestuan katër protestues dhe u hoqën dy çadra plastike.
“Për të hequr dy çadra erdhën 300 policë. Çadrat nuk penguan ambulancën dhe nuk shkaktuan trafik”, u shpreh ai, duke ngritur pyetjen pse shteti nuk vepron me të njëjtin intensitet ndaj bandave kriminale.
Në fund të fjalës së tij, Lapaj u bëri thirrje qytetarëve të mos kenë frikë dhe të bashkohen për ndryshim.
“Vriteni frikën, jetoni si njerëz të lirë. Duhet të jemi më shumë në protestë sesa ishim sot”, përfundoi ai.
and then