
Tensione dhe përplasje verbale u shënuan sot para Kryeministrisë, pasi efektivët e Policisë së Shtetit ndërhynë për të hequr çadrat e protestuesve që ndodheshin prej ditësh në shesh.
Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, reagoi me tone të ashpra ndaj efektivëve të policisë, duke i akuzuar se po veprojnë nën ndikim politik. Gjatë deklaratës së tij, Lapaj sulmoi drejtpërdrejt zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e quajtur atë “hajdute” dhe duke pretenduar se ndërhyrja e policisë është bërë me urdhër të saj.
“Merrni Belindën, se ajo ua fut juve. Doni Belinda Ballukun, hajdutja! Keni marrë sot një oficer që është doktor shkencash, se do Belinda Balluku,” deklaroi Lapaj para efektivëve, duke shtuar se policia po përdoret kundër protestuesve paqësorë.
Ai vijoi akuzat duke thënë se policia nuk dëshiron qytetarë që protestojnë paqësisht, por, sipas tij, u shërben personave që nxisin dhunë. Lapaj përmendi gjithashtu emra të tjerë zyrtarësh të lartë, duke i akuzuar për nënshtrimin e Policisë së Shtetit ndaj interesave politike.
“Nuk më doni mua që ju respektoj, doni ata që vijnë me molotovë,” u shpreh ai, duke theksuar se protesta e zhvilluar prej tij dhe mbështetësve ka qenë paqësore dhe pa incidente.
and then