
Për të tretën ditë radhazi, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Prrenjas–Librazhd–Elbasan–Tuneli i Krrabës–Tiranë vijon të jetë tejet i mbingarkuar, duke sjellë kaos dhe vonesa të shumta për mijëra drejtues mjetesh. Situata problematike po përsëritet edhe këtë fundjavë, ndërsa fluksi i lartë i automjeteve në të dy kahet e rrugës e ka bërë thuajse të pamundur normalizimin e trafikut.
Burime nga terreni bëjnë me dije se, pavarësisht pranisë së shtuar të forcave të Policisë Rrugore, disiplinimi i qarkullimit mbetet i vështirë për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe kushteve të amortizuara të infrastrukturës në disa segmente ku janë kryer punime për zgjerimin e saj , pjesë e Koridorit Tetë. Në disa segmente kyçe, trafiku ecën me ndalesa të shpeshta, duke krijuar radhë të gjata dhe nervozizëm tek drejtuesit e mjeteve.
Problematikat rëndohen edhe më tej nga gjendja e rëndë e rrugës në zona të caktuara, veçanërisht te Kthesat e Murrashit dhe Kthesat e Dragostunjës, ku segmentet në zgjerim janë me gropa të shumta dhe të rrezikshme për përdoruesit e rrugës. Këto dëmtime jo vetëm që ngadalësojnë qarkullimin, por përbëjnë edhe rrezik serioz për sigurinë rrugore.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që situata e trafikut të vijojë problematike edhe në orët në vijim.
and then