
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve bazë, duke theksuar se ato po bëhen të papërballueshme për familjet shqiptare, ndërsa pagat dhe pensionet mbeten të pandryshuara.
Në një postim në “Facebook”, Xhixho u shpreh se sot familjet shqiptare janë të detyruara të llogarisin çdo lek për bukën e përditshme, ndërkohë që pensionistët, sipas saj, janë lënë në harresë dhe përballen me zgjedhjen mes ushqimit, ilaçeve dhe ngrohjes.
Ajo e cilësoi paradoks faktin që ushqimet bazë në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në shumë vende të Europës, në një kohë kur pagat dhe pensionet janë ndër më të ulëtat në rajon. Sipas Xhixhos, në kontrast me këtë situatë, qeveria jeton në luks, duke përmendur shpenzime të larta për verë, investime estetike në Kryeministri dhe udhëtime charter të kryeministrit, që sipas saj kapin shifra miliona euro.
REAGIMI
Çmimet e ushqimeve bazë vazhdojnë të rriten në mënyrë të papërballueshme, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara. Sot, familjet shqiptare janë të detyruara të llogarisin çdo lek për bukën e përditshme, kurse pensionistëve, të lënë në harresë, u duhet të zgjedhin mes ushqimit, ilaçeve dhe ngrohjes.
Paradoksi më i madh është se ushqimet bazë në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në shumë vende të Europës, ndërkohë që pagat dhe pensionet janë ndër më të ulëtat. Ndërkohë, qeveria jeton në luks: vetëm vera e kryeministrit kushton 33 mijë euro; “Kopshti Eden”, i ndërtuar në Kryeministri thjesht për estetikë kushtoi 4.2 milionë euro; pa përmendur udhëtimet charter të kryeministrit, që kapin shifra miliona euro. Ndërsa qytetarët varfërohen, shteti mbledh gjithnjë e më shumë të ardhura nga rritja e çmimeve. Por këto para nuk u kthehen qytetarëve; ato shpërndahen te oligarkët. Vetëm për Tunelin e Llogarasë u vodhën 75 milionë euro; “rrugët e florinjta” si Unaza e Madhe kushtuan mbi 450 milionë euro; inceneratorët që nuk punuan kurrë përpinë mbi 400 milionë euro. Paratë ekzistojnë, por ato nuk shkojnë për mirëqenien e qytetarëve. Ato përdoren për të pasuruar këtë qeveri dhe klientët e saj. Kjo qeveri punon për një grusht njerëzish, jo për qytetarët që mezi mbyllin muajin.
and then