
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar nga policia ndaj protestuesve paqësorë përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm dhe në kundërshtim flagrant me standardet demokratike europiane.
Në një postim publik, Tabaku thekson se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe jo një krim, ndërsa qytetarët që prej ditësh protestojnë paqësisht nuk kanë kërcënuar dhe as kanë dhunuar askënd, por kanë ushtruar një të drejtë themelore të garantuar nga Kushtetuta.
Sipas saj, reagimi i qeverisë me dhunë ndaj qytetarëve tregon frikë nga zëri i popullit dhe një keqpërdorim të forcës shtetërore për të heshtur protestën. “Në Europë policia mbron protestën, nuk përdoret për të rrahur qytetarë paqësorë. Kjo që po ndodh nuk është standard europian,” nënvizon Tabaku.
Duke paralajmëruar pasoja serioze për shtetin e së drejtës, Kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut thekson se kur pushteti ngre dorë kundër qytetarëve, shteti ligjor pushon së funksionuari dhe vendi rrëshqet drejt një modeli autoritar. Ajo e lidh këtë sjellje me korrupsionin e thellë të qeverisjes, duke e cilësuar dhunën si shprehje të një pushteti të dobët dhe të frikësuar.
Reagimi i Tabakut vjen në një moment tensioni të shtuar politik dhe social, ndërsa opozita dhe shoqëria civile kërkojnë respektimin e lirive themelore dhe ndalimin e përdorimit të forcës ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese.
and then