
Reshjet e dendura dhe përmbytjet në Durrës kanë penguar hedhjen tradicionale të kryqit në kuadër të festës së Ditës së Ujit të Bekuar. Në qytetin bregdetar u zhvillua vetëm Mesha e Shenjtë dhe bekimi i ujit nga kryepeshkopi Joan. Ceremonia e hedhjes së kryqit është anuluar gjithashtu në Gjirokastër, Lushnjë dhe në zonën e Myzeqesë për shkak të motit të keq. Ndërsa Durrësi është nën pushtetin e ujit, Shqipëria e Mesme dhe qyteti jugor i Gjirokastrës anuluan ritualin tradicional për arsye sigurie. Në këto tre qytete, u zhvillua vetëm Mesha e Shenjtë në ambientet e kishës, e shoqëruar me bekimin e ujit.
Autoritetet kishtare bënë të ditur se vendimi u mor për të shmangur çdo rrezik për besimtarët, duke marrë parasysh reshjet intensive dhe kushtet e vështira atmosferike që kanë përfshirë zonën. Besimtarët u lutën për shëndet, mbarësi dhe begati, ndërsa ceremonia vazhdoi në mënyrë simbolike brenda kishës. Ndërkaq, qytete të tjera si Berati, Saranda, Fieri, Elbasani dhe Korça vazhduan traditën e hedhjes së kryqit ditën e Epifanisë. Në Berat, kryqi u hodh në lumin Osum; në Sarandë, në detin Jon; ndërsa në Fieri, Korçë dhe Elbasan kryqi u hodh simbolikisht në shatërvanët e qyteteve dhe pishina.
Të rinjtë u hodhën në ujërat e ftohta dhe të turbullta të lumit Osum dhe detit Jon, duke sfiduar temperaturat e ulëta. Më i vogli mes tyre ishte një 8-vjeçar nga Berati. 6 Janari, dita e shenjtë e Ujit të Bekuar, bashkon çdo vit besimtarët e krishterë dhe kujton pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan. Ceremonia fillon herët në mëngjes në kishë, ku pasi kryhen të gjitha ritet fetare, klerikë dhe besimtarë, me kryqin në dorë dhe nën tingujt e këmbanave, i drejtohen lumenjve për të hedhur kryqin.
Sipas traditës vendore, ai që e gjen kryqin shkon me të në dorë në disa shtëpi, ku banorët “shpërblejnë” kryqin e bekuar. Pas ceremonisë, besimtarët marrin ujë të bekuar nga kisha, i cili ruhet për tërë vitin dhe përdoret për shërimin e trupit dhe shpirtit, duke u pirë sa herë kur ndihen të sëmurë.
and then