PD denoncon keqmenaxhimin e përmbytjeve në Kurbin, Gjekmarkaj: Institucionet kanë dështuar totalisht, familje të tëra janë bllokuar

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke denoncuar atë që e cilëson si dështim total të institucioneve vendore dhe qendrore në përballimin e situatës së përmbytjeve në Bashkinë Kurbin.

Sipas tij reshjet e fundit kanë shkaktuar përmbytje të shumta dhe bllokim të disa segmenteve rrugore, duke lënë familje të tëra të izoluara dhe sipërfaqe të mëdha toke të mbuluara nga uji.

Gjekmarkaj bën të ditur se, së bashku me deputetin Kastriot Piroli dhe kryetarin e PD-së së Kurbinit, Edmond Shkoza, kanë inspektuar nga afër zonat më të prekura. Gjatë vëzhgimit, ata kanë konstatuar dëme të konsiderueshme në banesa, ekonomi të vogla familjare, si dhe rrugë lokale të pakalueshme për automjetet e vogla.

“Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për lirimin e rrugëve dhe shpëtimin e pasurisë së tyre,” thuhet në reagimin e PD-së.

Partia Demokratike i bën thirrje kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, që të shkojë në zonat e dëmtuara, të marrë përgjegjësi për situatën dhe të mos shmangë përballjen me pasojat e përmbytjeve. Gjithashtu, PD u bën apel qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndalojnë, sipas saj, propagandën dhe përplasjet politike, duke kërkuar dërgimin e menjëhershëm të mjeteve dhe ekipeve për pastrimin e kanaleve, lirimin e akseve rrugore dhe ndihmën për banorët.

Në reagim kërkohet gjithashtu hartimi dhe zbatimi i një pakete emergjence për riparimin e dëmeve, si dhe masa afatgjata për përforcimin e sistemit kullues dhe infrastrukturës në zonë.

“Qytetarët e Kurbinit nuk mund të mbeten peng i infrastrukturës së paaftë dhe i deklaratave boshe,” thekson reagimi, duke garantuar se do të qëndrojë pranë banorëve dhe në mbrojtje të interesave të tyre.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×