
Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonën e ish-Kënetës në Durrës, duke vënë në vështirësi të mëdha dhjetëra familje. Banorët kanë treguar për News24 dhe gazetarin Osman Stafa situatën dramatike me të cilën po përballen.
Një prej banorëve ka arritur të lëvizë në lagjen e tij vetëm përmes një gomoneje të vogël, duke dëshmuar nga mesi i ujit gjendjen e rëndë në zonë. “Situata është katastrofë, nuk ka më keq. Është një rast i rrallë. Pa këtë gomone nuk dal dot, kemi fëmijë të vegjël dhe dëme të mëdha materiale në shtëpi,” u shpreh ai.
Banori tregoi se gomonen e kishte blerë për fëmijën e tij për përdorim në det, por nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej ta përdorte brenda lagjes. “Ndryshe nuk dalim dot. Kemi frikë nga rryma elektrike, dritat kanë ikur e kanë ardhur disa herë. Askush nuk ka ardhur të interesohet për çfarë po ndodh. Nuk kemi dalë dot as për të parë gjendjen përreth,” tha ai.
Banorët e zonës së Kënetës shprehen se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, pasi situata mbetet e rrezikshme, veçanërisht për familjet me fëmijë të vegjël.
and then