Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë probleme në Qarkun e Kukësit, rrezik nga rënia e gurëve në disa akse

Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e Qarkut Kukës, duke sjellë problematika të përkohshme në disa segmente të akseve rrugore nacionale. Sipas autoriteteve, në disa zona është evidentuar rrezik nga rënia e gurëve dhe materialeve inerte, si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.

Situata më e theksuar është konstatuar në akset rrugore nacionale të Bashkisë Tropojë, veçanërisht në rrugën Bajram Curri–Valbonë, ku janë regjistruar rënie gurësh dhe vërshime uji në disa segmente të saj. Ekipet e subjekteve kontraktore kanë qenë të angazhuara në terren gjatë gjithë kohës, duke ndërhyrë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, sidomos në zonat më problematike të aksit Bajram Curri–Valbonë. Falë ndërhyrjeve të kryera, aktualisht qarkullimi në këtë aks, si dhe në të gjitha akset e tjera rrugore nacionale në Qarkun Kukës, zhvillohet normalisht.

Sipas raportimeve nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, deri më tani nuk janë evidentuar situata emergjente apo problematika të shtuara. Furnizimi me energji elektrike në Qarkun Kukës paraqitet pothuajse i plotë, me përjashtim të 16 abonentëve në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër, në Bashkinë Tropojë. Prefektura e Kukësit bën me dije se strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë menjëherë në rast përkeqësimi të kushteve apo shfaqjeje të problematikave të reja, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të tre bashkive të qarkut.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×