“Arrestimet në protestë u shpallën të paligjshme nga gjykata”, Lapaj: Ja arsyet e “bezdisjes” së Ramës nga protesta jonë

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe protestën disa javore përpara Kryeministrisë, gjatë një interviste në emisionin “Oponencë” në News24. Ai akuzoi institucionet për dhunë ndaj protestuesve dhe shkelje të ligjit, ndërsa theksoi se qëndresa qytetare po rritet.

Lapaj deklaroi se protesta ishte e njoftuar zyrtarisht për intervalin orar 12:00–18:00, ndërkohë që ndërhyrja e policisë ka ndodhur në orën 15:30. Sipas tij, edhe vetë gjykata ka konstatuar se ndërhyrja është kryer brenda orarit të lejuar të protestës. “Kanë thyer lejen e protestës. Nëse do të kishin kundërshtime për çadrat, ndërhyrja mund të bëhej pas përfundimit të orarit, jo gjatë saj,” u shpreh ai.

Sipas Lapajt, 13 protestues janë shoqëruar, katër janë arrestuar dhe nëntë të tjerë janë proceduar penalisht, mes tyre edhe ai vetë. Ai theksoi se gjykata i ka shpallur arrestimet të paligjshme, një vendim që, sipas tij, është i rrallë. “Në një shtet ku një numër relativisht i vogël qytetarësh protestojnë, përballë një numri kaq të madh forcash policore, dhe gjykata del kundër veprimeve të policisë, kjo tregon se diçka nuk shkon,” tha Lapaj.

Kreu i “Shqipëria Bëhet” ngriti edhe akuza për manipulim të zgjedhjeve të 11 majit, duke deklaruar se lëvizjes së tij i janë shpallur të pavlefshme rreth 16 mijë vota. Sipas tij, nëse e njëjta përqindje do të aplikohej për Partinë Socialiste, kjo do të përkthehej në rreth 140 mijë vota të pavlefshme. “Kryeministri e di të vërtetën e votave. E di çfarë ka ndodhur me votën e diasporës,” tha ai, duke shtuar se ende nuk janë dorëzuar plotësisht tabelat e votimit nga DHL, pasi procesi nuk është kryer sipas ligjit.

Lapaj u shpreh se kryeministri shqetësohet nga protestat e vazhdueshme përpara zyrës së tij dhe nga fakti që qytetarët nuk kanë më frikë të protestojnë. “Atë nuk e shqetësoj unë, por qytetarët që janë gati të qëndrojnë poshtë zyrës së tij dhe t’i thonë ‘hajdut’,” deklaroi ai.

Duke iu referuar protestës së fundit, Lapaj theksoi se mbi 3 mijë qytetarë morën pjesë, përballë 600–700 forcave policore. Sipas tij, kjo është dëshmi se protesta po kthehet në një “vatër të hapur” rezistence qytetare, e cila po rritet gradualisht dhe po bëhet gjithnjë e më shqetësuese për qeverinë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×