
Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Fierit, pasi iu zbulua arsenal armësh dhe një sasi droge. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet A. H., banues në fshatin Suk, Roskovec.
NJOFTIMI I POLICISE
Fier/ Finalizohet pas një muaji hetime me metoda proaktive operacioni policor i koduar “New Start 2”. Zbulohet një arsenal armësh dhe një sasi droge. Sekuestrohen armë zjarri, granata luftarake, municion luftarak dhe drogë. Vihet në pranga një shtetas 34-vjeçar që ushtronte veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Në pranga edhe babai i tij, pasi në banesë u gjet arsenali i armëve dhe një sasi tjetër e lëndës narkotike. Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një pune hetimore 1-mujore, me mbështetjen e Forcave Operacionale dhe “Shqiponjat”, finalizoi operacionin policor të koduar “New Start 2”.
Si rezultat, u vu në pranga shtetasi A. H., 34 vjeç, banues në fshatin Suk, Roskovec. Bazuar në informacionet e siguruara gjatë hetimit për 34-vjeçarin që shiste drogë dhe posedonte armë zjarri, shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, kapën në dalje të fshatit Suk, Roskovec, shtetasin A. H., ku në automjetin e tij gjetën rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të ndarë në doza gati për shitje.
Në vijim të operacionit, nga kontrolli i banesës dhe i lokalit në pronësi të tij dhe babait të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 17.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, e përpunuar dhe e ndarë në doza gati për shitje, 2 armë zjarri pistoletë, 2 armë zjarri automatike, 2 granata luftarake, 1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 2 aparate celularë dhe 1 motomjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi edhe i shtetasit A. H., 61 vjeç. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
and then