“Mundësia” refuzon ftesën e Berishës, Kapri: Nuk mund të ulemi me të akuzuarit për korrupsion. I kemi dërguar ftesë Qorit, por…

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar ftesën e Partisë Demokratike dhe të kreut të saj, Sali Berisha, drejtuar partive politike për t’u ulur në një tryezë bashkëpunimi kundër qeverisë së Partisë Socialiste.

Kapri u shpreh se Partia Mundësia nuk mund të jetë pjesë e një tryeze ku, sipas tij, drejtuesit kryesorë janë figura të akuzuara për korrupsion. Ai përmendi konkretisht emra si Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu, duke theksuar se mungesa e besueshmërisë në luftën kundër korrupsionit e bën të pamundur një bashkëpunim të tillë.

“Nuk mund të ulemi në një tryezë ku krerët e saj janë të akuzuar për korrupsion. Ne e shohim korrupsionin si problemin kryesor në Shqipëri sot dhe pa besueshmëri në këtë aspekt, nuk mund të na kenë nga pas qytetarët,” u shpreh Kapri.

Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë për një model të ri politik, ku ndëshkimi i korrupsionit të jetë thelbësor dhe ku bashkëpunimet të mos kenë si qëllim goditjen e drejtësisë apo mbajtjen e karrigeve politike. Sipas tij, çdo tryezë politike duhet të synojë reforma reale dhe jo interesa personale.

Deputeti i Partisë Mundësia bëri të ditur gjithashtu se kjo forcë politike ka organizuar tryeza të hapura me intelektualë dhe gazetarë, si pjesë e vizionit të saj për dialog publik. Në këtë kuadër, Kapri zbuloi se Partia Mundësi i ka dërguar një ftesë për bashkëpunim edhe Lëvizjes Bashkë, të drejtuar nga Arlind Qori, duke lënë të hapur mundësinë e një afrimi në të ardhmen.

“Ne kemi bërë tryeza me intelektualë të vendit, me gazetarë. Në tryezën që ne bëmë i çuam një ftesë Lëvizjes Bashkë të Arlind Qorit që nuk e vlerësuan, ndoshta në një moment tjetër”, tha ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×