
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ka reaguar për situatën e përmbytjeve në disa zona të vendit, duke akuzuar qeverinë për mungesë masash parandaluese dhe për përdorim të situatave emergjente për propagandë politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjunkshi shprehet se ministrat e qeverisë dalin për inspektime vetëm pasi dëmet kanë ndodhur, ndërsa më herët nuk janë marrë masat e nevojshme. Sipas tij, kanalet janë të pambajtura, pusetat të bllokuara dhe mungojnë investimet serioze për menaxhimin e ujërave të bardha.
“Ministrat e kësaj qeverie, sapo bie shi, veshin cizmet e propagandës dhe dalin për inspektime teatrale. Sot ‘shohin’ situatën, ndërsa dje, kur duhej të merrnin masa, nuk bënë asgjë,” shkruan Gjunkshi.
Ai e lidh situatën e përmbytjeve edhe me menaxhimin e dobët të emergjencave në përgjithësi, duke përmendur zjarrët në verë dhe mungesën e mjeteve ajrore për ndërhyrje. Sipas tij, në dimër vendi përmbytet, ndërsa në verë digjet, për shkak të paaftësisë së shtetit për të investuar dhe planifikuar.
Ish-deputeti thekson se pasojat bien gjithmonë mbi qytetarët, të cilëve u është futur uji në shtëpi dhe biznese, duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke shkatërruar mundin e viteve.
Në fund të reagimit, Gjunkshi kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura dhe dëmshpërblim të plotë për banorët dhe bizneset e prekura. “Jo propagandë me çizme, por veprim, përgjegjësi dhe llogaridhënie. Shqipëria nuk qeveriset me kamera, por me punë,” përfundon ai.
and then