
Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve, por qeveria, sipas tyre, po e refuzon këtë kërkesë për mungesë vullneti për të dëmshpërblyer qytetarët e prekur.
Sipas deputetit të PD-së, Eno Bozdo situata është veçanërisht e rëndë në Qarkun e Beratit, ku dëmtimi i argjinaturës ka shkaktuar përmbytjen e qindra hektarëve tokë bujqësore në zonat Velabisht dhe Otllak, duke prekur rëndë jetesën e dhjetëra familjeve.
Gjendja paraqitet edhe më alarmante në Bashkinë Dimal, në zonat Dafinë, Gurë i Bardhë dhe Çiflik, ku uji ka hyrë në banesa dhe toka bujqësore, duke rrezikuar pronën dhe sigurinë e banorëve.
Fermerët po humbasin prodhimin dhe mundin e tyre, ndërsa qytetarët ndihen të braktisur nga shteti, pa ndihmë dhe pa reagim institucional, çka sipas PD-së tregon papërgjegjshmëri dhe neglizhencë të strukturave lokale dhe qendrore.
Reagimi i deputetit të PD-së, Eno Bozdo:
Deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të emergjencave civile për përmbytjet që po godasin qarqet e rrezikuara nga rritja e nivelit të ujit, por deri tani qeveria po e refuzon këtë kërkesë, pasi nuk ka asnjë vullnet për të dëmshpërblyer banorët, bizneset dhe fermerët e prekur nga përmbytjet. Qeveria nuk e ka mendjen të dëmshpërblejë qytetarët, por e ka mendjen të VJEDHË, duke treguar edhe një herë mungesë totale për ata që po përballen me pasojat e kësaj fatkeqësie.
Situata në Qarkun e Beratit vijon të mbetet tejet problematike dhe alarmante. Demtimi i argjinaturës ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen, duke sjellë përmbytjen e qindra hektarëve tokë bujqësore në Bashkinë Berat, konkretisht në njësitë administrative Velabisht dhe Otllak. Dëmet janë të mëdha dhe pasojat rëndojnë drejtpërdrejt mbi jetesën e dhjetëra familjeve, të cilat sot ndihen të braktisura nga shteti.
Edhe më dramatike paraqitet situata në Bashkinë Dimal, ku në zonat Dafinë, Gurë i Bardhë dhe Çiflik, uji ka depërtuar në banesa dhe toka bujqësore. Prej ditës së djeshme këto zona ndodhen nën pushtimin e ujit, duke rrezikuar jo vetëm pronën, por edhe sigurinë e banorëve. Fermerët po shohin teksa para syve të tyre po shkatërrohet puna dhe mundi i tyre, ndërsa shtëpitë përballen me dëme të konsiderueshme materiale.
Qytetarët janë lënë totalisht në mëshirë të fatit. Askush nuk i është përgjigjur thirrjeve të tyre për ndihmë. Mungesa e reagimit dhe e koordinimit institucional nxjerr hapur papërgjegjshmërinë dhe neglizhencën e strukturave lokale dhe qendrore.
and then