Punonjësi zyrtar i vdekur dhe mbi 1000 familje të prekura nga përmbytjet/ Prokuroria e Durrësit nis hetimet për mosfunksionim të Hidrovorit! U fitua nga kompanitë “2T”, “Adriatik” dhe “Vëllezërit Hysa”

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin kryesisht pas situatës së shkaktuar nga reshjet e dy ditëve të fundit në Durrës, ku qyteti dhe zonat përreth janë nën ujë, si dhe pas vdekjes së një 54 vjeçari për shkak të motit.

Prokuroria po heton për veprën penale “shkatërrim i pronës përmes përmbytjes” dhe ka dyshime se situata me 250 ha tokë të përmbytur mbi 1000 familje të prekura e të dëmtuara, është shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të Hidrovorit.

Tenderi për ndërtimin e Hidrovorit të ri, me vlerë 19 mln euro u fitua nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe vëllezerit Hysa.

Kompania Adriatik zotërohet nga Petrit Kovaçi në masën 50%. Petrit Kovaçi është babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve. Kovaçi rezulton të jetë lidhje familjare e Ceno Klosit, ish drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ndërsa aktualisht është deputet në qarkun e Fierit. Spartak Kovaçi është në listën e njerëzve të besuar të Belinda Ballukut, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, për të cilën SPAK ka kërkuar leje në Kuvend për ta arrestuar, pasi e akuzon për abuzime me tenderat në miliona euro.

Referuar të dhënave të Open Data, kompania 2T zotërohet në masën 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës, ndërsa ka qenë më herët drejtues i Gardës së Republikës.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas informacioneve rezulton se ky shtetas ka shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe vërshimet e ujit. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.

Në kushtet kur rrethanat se si ka ndodhur humbja e jetës së këtij shtetasi, bazuar në rrethanat e marra dijeni deri në këto momente personalisht dhe nëpërmjet medias, rezulton se ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të kryer nga personat përgjegjës për mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e situatës së krijuar për shkak të reshjeve të shiut, në qytetin e Durrësit.

Ka dyshime se nga personat e ngarkuar me funksione, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën.

Po kështu, bazuar në dëmet e konsiderueshme të evidentuara deri më tani që janë shkaktuar në infrastrukturën publike si dhe pronën privat, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga neni 153 dhe neni 161 i Kodit Penal.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×