Shkodër / Zbulohet banesa e përshtatur për kultivimin e kanabisit me llamba, shpallen në kërkim dy persona

Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Neonët 6”, duke zbuluar një tjetër ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Me këtë rast, shkon në 10 numri i rasteve të goditura në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”.

Në kuadër të këtij operacioni, janë shpallur në kërkim dy shtetas, të dyshuar se kishin përshtatur një banesë në lagjen “Ndoc Mazi”, për kultivimin e bimëve narkotike me pajisje elektrike, të furnizuara përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Në kërkim janë shpallur shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, si dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy punonjës të OSHEE-së, shtetasit B. C., 33 vjeç dhe G. A., 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Operacioni u zhvillua në kuadër të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, ushtruan kontrolle intensive në disa ambiente të dyshuara.

Gjatë kontrolleve, u zbulua një banesë e përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, si dhe 4 telefona celularë.

Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me ambientin ku kultivoheshin bimët narkotike, i ndaluar më datë 11.12.2025 si i dyshuar për disa vepra penale, u gjetën dhe u sekuestruan 1 pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe 1 automjet.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme ligjore.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×