
Situata e motit të keq vijon të krijojë vështirësi në disa bashki të qarkut Gjirokastër dhe zonave përreth, sipas informacionit zyrtar të datës 9 janar 2026. Reshjet e dendura të dëborës, shirat dhe rritja e niveleve të lumenjve kanë sjellë bllokime rrugësh, dëmtime infrastrukturore dhe probleme me furnizimin me energji elektrike.
Bashkia Gjirokastër
Në bashkinë Gjirokastër raportohet prezencë dëbore në fshatrat e Njësisë Administrative malore Picar. Në kilometrin 17 të aksit rrugor Gjirokastër–Tepelenë, lumi Drino po i afrohet trupit të rrugës, ndërsa firma kontraktore ka përqendruar mjete për forcimin e argjinaturës.
Në fshatin Tërbuq, Njësia Administrative Odrie, aksi rrugor është hapur falë ndërhyrjes së specialistëve dhe mjeteve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë, në fshatin Dhoksat të Njësisë Administrative Lunxhëri pritet ulja e nivelit të ujit për të nisur punimet për hapjen e rrugës.
Është dëmtuar gjithashtu një urë e vogël në aksin që lidh fshatrat Krinë, Tranoshisht dhe Saraqinishtë, ku kanë nisur punimet për riparimin e saj. Dy specialistë gjeologë kanë përfunduar inspektimin e zonave me rrezik për rrëshqitje dherash.
Bashkia Dropull
Problematike mbetet ura e Glinës, e cila ka pësuar një dëmtim të ri. Si pasojë e reshjeve të dëborës, aksi rrugor Pogon–Dropull është aktualisht i bllokuar.
Bashkia Libohovë
Reshjet e dëborës, me trashësi rreth 50 cm, kanë bllokuar aksin Zagori–Libohovë. Në Njësinë Administrative Zagori raportohet shembja e një banese ku jetonte një grua e moshuar, e cila është strehuar përkohësisht në banesën e kryetarit të fshatit.
Bashkia Memaliaj
Në Njësinë Administrative Qesarat vijon të jetë problematike gërryerja e tokave bujqësore nga lumi Vjosë, përballë fshatit Qesarat.
Bashkia Përmet
Aksi rrugor Përmet-Dogana e Tre Urave është i bllokuar për shkak të çarjes së trupit të rrugës në hyrje të fshatit Petran. Njësia Administrative Frashër është e izoluar dhe pa energji elektrike, si pasojë e reshjeve të dëborës me trashësi rreth 40 cm. Të bllokuara mbeten edhe fshati Buhal dhe zona e Frashërit.
Bashkia Tepelenë
Në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, qarkullimi lejohet vetëm me një korsi, ndërsa Policia e Shtetit po monitoron situatën. Në Njësinë Administrative Kurvelesh ka prezencë dëbore dhe akulli, dhe drejtuesit e mjeteve po orientohen nga strukturat përgjegjëse.
OSHEE ka bërë me dije se është rikthyer pjesërisht furnizimi me energji elektrike në disa fshatra të Bashkisë Memaliaj. Pa energji vijojnë të mbeten disa zona në bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Dropull dhe Përmet, ndërsa puna për rikthimin e plotë të furnizimit do të vazhdojë gjatë ditës së sotme.
Sakaq, niveli i lumit Vjosë shënon në Memaliaj 3.8 metra dhe në Përmet 4.3 metra.
and then