Aksidenti i rëndë në Klos/ Ndryshon dinamika e ngjarjes, policia arreston drejtuesin e mjetit që ra në përrua, sepse nuk i dha ndihmë pasagjerit. Vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë në Klos, në vendin e quajtur “Ura e Halilit”.

Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se është arrestuar 24 vjeçari, drejtuesi i automjetit që ra në përroin e fshatit Dars.

Policia thotë se 24-vjeçari nuk njoftoi policinë dhe u largua nga vendngjarja, duke mos i dhënë ndihmë pasagjerit.

Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

“Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×