“Balluku me 300 apartamente dhe 15 supermarkete, shqiptarët në varfëri”, Blushi: Në Onkologjik janë humbur jetë për 75 mijë euro, përmbytjet i shkaktoi korrupsioni

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në studion e News24, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën politike dhe sociale në vend si dramatike.

Blushi u ndal fillimisht te pasuria e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën tha se “ka mbi 300 apartamente dhe 15 supermarkete”, ndërsa, sipas tij, të rinjtë shqiptarë “duhet të mos hanë bukë dhe të kursejnë për vite të tëra për të blerë një apartament modest në periferi të Tiranës”.

Ai theksoi se në një vend ku shumica e qytetarëve, sipas tij, mbijetojnë në varfëri, “kryeministri konsumon një shishe verë me vlerë 33.600 euro, e barabartë me pensionin mesatar të 14 viteve”. Blushi e krahasoi këtë shifër me gjendjen në sistemin shëndetësor, duke deklaruar se “në spitalin onkologjik njerëz kanë humbur jetën për 75 mijë euro”, ndërkohë që, sipas tij, shteti nuk jep këto para për kategori që “luftojnë me jetën”.

Në vijim, Blushi akuzoi qeverinë për standarde të dyfishta në zbatimin e ligjit, duke thënë se “sot nuk transporton dot një arkë domatesh pa qenë në rregull me tatimet, ndërsa kantina e Ergys Agasit, që sipas tij në të vërtetë është e Edi Ramës, u fsheh me mjeshtëri”. Ai shtoi se “nuk merr dot dy bidona me ujë pa leje, e jo më të vjedhësh 4 milionë euro shishe vere”.

Duke folur për përmbytjet e fundit, Blushi tha se situata në terren është shumë më e rëndë se sa shfaqet në ekrane. “Drama e një familjeje të përmbytur nuk zgjat aq sa transmetohet në media, por ka mijëra familje që janë ende nën ujë, pa energji elektrike, pa ujë të pijshëm dhe pa ushqim. Ka nga ata që kanë humbur bagëtitë dhe gjithë mundin e jetës,” u shpreh ai.

Ai kritikoi edhe reagimin e qeverisë pas fatkeqësive natyrore, duke përmendur rastin e tërmetit të vitit 2019. “U mblodhën 1 miliard euro për rindërtimin dhe sot ka ende njerëz pa shtëpi. Tani kryeministri kujtohet të dëmshpërblejë familjet e përmbytura vetëm pasi kthehet nga Franca,” deklaroi Blushi.

Sipas tij, përmbytjet janë pasojë direkte e korrupsionit. “Kanë vjedhur paratë e kanalizimeve, hidrovorëve dhe investimeve publike, ashtu si kanë vjedhur edhe me tunelin e Llogarasë. Si mund të përmbytet Gjirokastra që është mal? E arriti Edi Rama me mjeshtërinë e tij,” tha Blushi, duke shtuar se probleme të ngjashme janë konstatuar edhe në Durrës, ku, sipas tij, nuk funksiononin hidrovori dhe sistemi i kanalizimeve.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×