
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur për disa nga dosjet që aktualisht janë në hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të cilat sipas saj pritet të kenë zhvillime të rëndësishme në vijim dhe të tronditin skenën politike dhe institucionale në vend.
Duke u ndalur te ngjarjet e 21 janarit, Lala theksoi se kjo çështje kërkon ende përgjegjës, por paralelisht me të ekzistojnë afera të mëdha që po hetohen. Ajo përmendi dosjen “McGonigal”, e cila sipas saj cenon drejtpërdrejt partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe hedh dritë mbi mënyrën se si funksionon administrata shtetërore në prapaskenë.
Një tjetër çështje e rëndësishme, sipas Lalës, është dosja që lidhet me ministren Belinda Balluku, e cila përfshin jo vetëm tendera dhe paracaktimin e tyre, por edhe elementë të tjerë të dyshuar abuzimi. Ajo bëri me dije se SPAK ka ushtruar kontrolle ndaj disa biznesmenëve në kërkim të provave të reja, të cilat mund të çojnë në implikimin e personave të tjerë të rëndësishëm.
Gazetarja u ndal gjithashtu te abuzimi me fondet IPARD të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë dosje si një “kambanë alarmi” të fortë nga BE-ja dhe një “flamur të kuq” për fondet që dyshohet se janë vjedhur në Shqipëri. Sipas saj, kjo çështje përbën një nga hetimet më serioze aktuale të SPAK.
Vëmendje të veçantë ajo i kushtoi edhe dosjes së AKSHI-t, të cilën e cilësoi si “hapje e kutisë së Pandorës”. Sipas Lalës, kjo dosje ka potencialin të shkërmoqë përfundimisht qeverinë, për shkak të mënyrës se si është funksionuar sistemi. Ajo theksoi se roli i Ergys Agasit, i cili dyshohet se ka urdhëruar drejtues të institucioneve kryesore në vend, mund të sjellë tronditje të forta për institucione të ndryshme dhe drejtuesit e tyre.
Sipas informacioneve të SPAK, të cituara nga Lala, në lidhje me tenderat e AKSHI-t hetimet kanë shkuar deri në episode të rënda kriminale, përfshirë rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe. Ky i fundit dyshohet se është mbajtur peng për disa orë dhe është detyruar të tërhiqet nga tenderat, nga persona të veshur me uniforma policie.
Në përfundim, Klodiana Lala u shpreh se këto dosje përfaqësojnë disa nga çështjet më të rënda që SPAK po heton aktualisht dhe se zhvillimet e ardhshme pritet të kenë ndikim të thellë në jetën politike dhe institucionale të vendit.
and then