
Tuneli i Llogarasë ka nisur të rrjedhë ujë që në shirat e parë, duke përbërë një rrezik real për jetën e udhëtarëve që kalojnë në këtë tunel. Cilësia e dobët e punimeve është vetëm afera e radhës që përfshin skandalin e madh të tunelit, ndërtimi i të cilit i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 50 milionë eurosh. Përveç dyshimeve për rritje fiktive të faturave, që kanë rënduar mbi buxhetin e shtetit, dhe favorizimit të një kompanie turke që, sipas hetimeve, nuk ka kryer asnjë punim real në tunel, në fokus është vënë edhe rimbursimi dhe kreditimi i TVSH-së për këtë vepër publike.
Hetimi i thelluar i SPAK për aferën 190 milionë euro ka zbuluar shkelje serioze që, përveç drejtuesve politikë, rëndojnë edhe mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Sipas të dhënave, Tatimet kanë lejuar kompaninë ndërtuese të operojë për rreth tre vite pa dokumentacion të vlefshëm ligjor, duke i njohur njëkohësisht të drejtën e kreditimit të TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e përdorura në ndërtimin e tunelit.
Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është i qartë: bizneset e ndërtimit mund të kreditojnë TVSH-në vetëm pasi të kenë marrë lejen e ndërtimit dhe të kenë regjistruar projektin në administratën tatimore.
Në rastin e tunelit të Llogarasë, leja e ndërtimit është bërë e vlefshme vetëm në maj të vitit 2025, në një kohë kur punimet kishin përfunduar dhe objekti ishte në prag të përurimit. Përgjegjësia ligjore për kontrollin e aktivitetit të kompanisë bie mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Burime bëjnë me dije se përgjegjës direkt për këtë shkelje janë ish-drejtori i Përgjithshëm, Ceno Klosi, dhe pasuesja e tij që nga korriku 2024, Elidjana Çelaj. Dyshja Klosi-Çelaj jo vetëm që ka lejuar ndërtimin e tunelit pa leje, por as nuk ka marrë mundimin të verifikojë se, në fakt, këtë tunel nuk e ka ndërtuar firma fituese e tenderit, por kompani të tjera shqiptare.
Qëndrimi i dyshes Klosi-Çelaj flet për standarde të dyfishta në veprimtarinë e administratës tatimore. Nga njëra anë, Tatimet kanë vendosur gjoba ndaj bizneseve private edhe jashtë afateve ligjore, ndërsa nga ana tjetër nuk kanë ushtruar kontrolle ndaj kompanive që operojnë në vepra publike të financuara me para publike. Shembull për këtë është rasti i “Prestige Resort”, ku një gjobë prej 4 milionë eurosh është firmosur tre vite pas shembjes së objektit, përtej çdo afati ligjor, me shkelje proceduriale dhe pa pezulluar procesin, pavarësisht çështjeve në gjykatë. Abuzimi me fondet publike dhe besimin e qytetarëve mbetet një çështje që kërkon transparencë të plotë, hetim të thelluar dhe përgjegjësi penale për çdo shkelës të ligjit.
and then