
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar paraqitjen e të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, në një aktivitet ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim.
Sipas Lalës, kryeministri Rama u përpoq ta paraqiste pjesëmarrjen e diplomates amerikane si një shenjë mbështetjeje për qeverinë dhe veçanërisht për Belinda Ballukun. Megjithatë, ajo theksoi se prania e VanHorn në këtë aktivitet lidhej me detyrimet e saj institucionale dhe përfaqësimin e interesave amerikane, e jo me mbështetje politike personale.
Gazetarja vuri në dukje se menjëherë pas aktivitetit, Nancy VanHorn nuk përshëndeti asnjë nga të pranishmit dhe u largua drejt Gjykatës Kushtetuese, ku zhvilloi një takim të veçantë dhe shprehu hapur mbështetjen e SHBA-ve për drejtësinë në Shqipëri. Sipas Lalës, ky veprim përbënte një mesazh të qartë distancimi nga aktiviteti qeveritar dhe një sinjal të fortë në mbështetje të institucioneve të drejtësisë.
“Zonja VanHorn lau duart nga aktiviteti ku ishte e detyruar të ishte për shkak të interesave amerikane. Lëvizja e saj drejt Gjykatës Kushtetuese ishte një mesazh i qartë se SHBA mbështet drejtësinë dhe jo individë të caktuar”, u shpreh Lala.
Ajo shtoi gjithashtu se hetimet ndaj Belinda Ballukut, sipas saj, nuk kufizohen vetëm te çështjet e infrastrukturës rrugore. Gazetarja deklaroi se ka dyshime se Balluku mund të jetë e përfshirë edhe në çështje ku preken interesat e kompanive amerikane, përfshirë investime strategjike dhe projekte të mëdha infrastrukturore. “Nuk kam ende prova konkrete, por ka dyshime serioze se janë cenuar interesa amerikane, çka mund të ketë ndikuar edhe në partneritetin mes Shqipërisë dhe SHBA-së”, tha ajo.
and then