BIRN: Qeveria merr mbrapsht koncesionin famëkeq të sterilizimit, 10 vjet pas nënshkrimit të kontratës që u kushtoi taksapaguesve mbi 114 milionë euro

Këshilli i Ministrave po finalizon shtetëzimin e koncesionit të sterilizimit me krijimin e një kompanie publike, dhjetë vjet pas nënshkrimit të kontratës që u kushtoi taksapaguesve mbi 114 milionë euro dhe një proces gjyqësor për veprat penale të vjedhjes dhe grupit të strukturuar kriminal.

Aleksandra Bogdani | BIRN

Qeveria është duke finalizuar shtetëzimin e koncesionit famëkeq të sterilizimit, dhjetë vjet pas nënshkrimit të kontratës që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 114 milionë euro dhe një proces gjyqësor kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe zyrtarëve të tjerë të lartë për veprat penale të vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Më 30 dhjetor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi të krijojë një shoqëri aksionare në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të marrë stafetën e ofrimit të shërbimeve të sterilizimit nga kompania koncesionare SaniService, e cila ndodhet nën sekuestro prej janarit të vitit 2024.

Sipas vendimit, kompania aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”, OSHIS sh.a me kapital 100% shtetëror do të ofrojë kundrejt pagesës të njëjtat shërbime që ofronte kompania koncesionare SaniService kundrejt spitaleve universitare, rajonale dhe bashkiake.

OSHIS sh.a do të ketë një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, i cili do të përballohet nga fondi i shpenzimeve kapitale në programin “Shërbime të kujdesit dytësor” të Ministrisë së Shëndetësisë. Më pas, kompania OSHIS sh.a parashikohet të financohet nga të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve të sterilizimit.

Kontrata e partneritetit publik privat të sterilizimit është një ndër katër kontratat e kushtueshme të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë, për të cilën hetimi i Prokurorisë së Posaçme për korrupsion ka avancuar deri në konkluzionet përfundimtare në gjykatë.

Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit me qëllimin e vetëm të shpalljes fituese të kompanisë së Ilir Rrapajt, e cila zotëronte 40% të aksioneve në konsorciumin e kompanive fituese.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimin e kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të paracaktuara si dhe mosveprimin për zgjidhjen e konfliktit të interesit.

Shkelje ligjore u gjetën edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Për shkeljet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë anëtarët e tjerë të komisionit të dhënies së koncesionit; Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.

Ish-ministri Beqaj po gjykohet ndarazi nga të pandehurit e tjerë, pasi nuk pranoi gjykimin e shkurtuar.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×