
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Burime bëjnë me dije se në momentin e kryerjes së vizitave mjekësore, Ndoci nuk ka qenë i vetëm, por shoqërohej edhe nga një tjetër person i paraburgosur.
Sipas informacioneve, për shoqërimin e dy të paraburgosurve ishin angazhuar gjithsej pesë punonjës policie. Tre prej tyre ishin të caktuar për shoqërimin e drejtpërdrejtë të të paraburgosurve, ndërsa dy të tjerë qëndronin në një furgon policie, i parkuar poshtë spitalit.

Momenti i arratisjes së Altin Ndocit
Në një moment, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga dy punonjës të Policisë së Burgjeve. Sapo ka dalë nga ambientet e tualetit, Ndoci dyshohet se ka goditur të dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë, duke përfituar nga situata për t’u larguar me shpejtësi.

Arratisja ka ndodhur nga kati i tretë i pavijonit infektiv të spitalit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
Kush është Altin Ndoci?
Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe akuzohet vrasje me pagesë. Ai akuzohej në këtë të këtij procesi për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, ngjarje ne të cilën e implikoi vrasësi me pagesë Nuredin Dumani që mban statusin e të penduarit të drejtësisë.
Për të kryer këtë vrasje ai ishte rekrutuar nga Talo Çela, dikur mik e më pas armik me Nuredin Dumanin.
Pas përplasjes së dy miqve, Dumani veproi për llogari të Erion Alibejt, kundërshtar me Çopjat, ndërsa Talo Çela për llogari të Franc e Hajdar Çopjas.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Ndoci kishte vepruar si vrasës për llogari të organizatës Çopja.
and then