
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi në rrjetin social X pas sulmit të fundit masiv që Rusia ndërmori kundër Ukrainës, i cili përfshiu përdorimin e dronëve dhe raketave balistike.
“Mbrëmë, bota u bë dëshmitare e një tjetër akti barbarie nga regjimi i Kremlinit kundër Ukrainës. Rreth 300 dronë sulmues, 18 raketa balistike dhe 7 raketa lundruese, u lëshuan duke targetuar qëllimisht civilët dhe infrastrukturën kritike energjetike, në këtë mot ekstremisht të ftohtë dimri”, theksoi Spiropali.
Spiropali u shpreh se, Shqipëria i dënon hapur dhe me forcë këto sulme brutale.
“Shprehim solidaritetin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë personat që kanë mbetur pa ngrohje, energji elektrike apo siguri”, shkroi më tej Spiropali.
Duke shprehur solidaritetin me homologun ukrainas Andrii Sybiha, ministrja Spiropali njoftoi se këtë javë do të vizitojë Kievin, për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj popullit ukrainas.
“Këtë javë do të jem në Kiev përkrah jush për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe angazhimin tonë për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në paqe”, theksoi Spiropali.
Ministrja nënvizoi se, këto krime kërkojnë një reagim të vendosur dhe të bashkuar ndërkombëtar.
“Nuk duhet të ketë pushim, lodhje apo vetëmjaftueshmëri derisa ky agresion të marrë fund”, përfundoi reagimin e saj ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.
and then