
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit, ngjarje e ndodhur ditën e sotme.
Sipas Lalës, Altin Ndoci konsiderohet një nga emrat më të rrezikshëm të botës së krimit dhe dyshohet se ka vepruar në kuadër të grupit kriminal të Nuredin Dumanit. Që prej vitit 2020, Ndoci ishte transferuar në paraburgimin e Durrësit, me qëllim garantimin e një regjimi sigurie më të lartë për qëndrimin e tij.
Gjatë kësaj periudhe, ai është trajtuar disa herë për probleme shëndetësore në ambientet spitalore. Procedura parashikon që, në rastet kur një i paraburgosur paraqet probleme shëndetësore që nuk mund të trajtohen brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, mjeku rekomandon transferimin e tij në spital.
Ajo zbuloi se ditën e sotme, Altin Ndoci është shoqëruar nga Policia e Burgjeve nga paraburgimi i Durrësit drejt spitalit rajonal, në një dhomë të posaçme ku kryhen vizitat mjekësore për personat e paraburgosur. Nisur nga precedentë të mëparshëm, përfshirë rastin e një zyrtari të lartë dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit, sipas të cilave efektivët e policisë nuk duhet të qëndrojnë brenda dhomës gjatë vizitave mjekësore, punonjësit e shoqërimit kanë qëndruar në derën e jashtme.
Ky moment është shfrytëzuar nga Ndoci, i cili ka arritur të arratiset nga ambientet e spitalit infektiv.
Ajo shtoi se bëjnë me dije se në orët në vijim priten ndalime dhe veprime hetimore ndaj punonjësve që kishin në ruajtje të paraburgosurin në momentin e arratisjes.
Altin Ndoci po gjykohet aktualisht në GJKKO, i implikuar nga dëshmia e Klevis Allës për vrasjen e dy vëllezërve Besnik dhe Viktor Haxhia. Gjithashtu, pas arrestimit të Nuredin Dumanit, ky i fundit ka rrëfyer për një sërë ngjarjesh kriminale ku Ndoci dyshohet se ka qenë pjesëmarrës, përfshirë masakrën e Bradasheshit dhe disa ngjarje të tjera të rënda në qytetin e Durrësit.
and then