“Rama nuk e shpëton dot Ballukun, do të ketë reagime ndërkombëtare”, Mërtiri: Ambasada e SHBA kërkoi të sigurojë GJK nga presioni për zv/kryeministren

Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe të drejtësisë në vend, duke u ndalur veçanërisht te çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe përplasja mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë.

I ftuar në News24, Mërtiri u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të bëjë gabimin që të pezullojë masat e marra ndaj Ballukut, duke theksuar se kjo nuk është në kompetencat e saj. “SPAK ka të drejtën të marrë masa të tilla. Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjykojë nëse masat janë korrekte apo jo, por vetëm nëse janë kushtetuese. Vlerësimi i provave dhe i drejtësisë së masës i takon GJKKO-së,” tha ai.

Sipas analistit, çdo ndërhyrje e GJK-së për të bllokuar vendimet e gjykatës së posaçme do të krijonte një precedent të rrezikshëm. “Me këtë vendim thjesht i është dhënë Ramës një muaj kohë, por nuk besoj se ky shërbim do të shkojë deri në fund për të mos shkarkuar Ballukun, sepse do ta nxirrte gjykatën nga loja,” u shpreh Mërtiri.

Ai akuzoi kryeministrin se po sulmon SPAK-un, duke e cilësuar atë si pjesën më të shëndetshme të sistemit të drejtësisë. “Rama duhet të ngrejë duart dhe ta lërë SPAK-un të bëjë punën e vet. Nuk besoj se SPAK do të tërhiqet, përkundrazi i është përgjigjur presioneve duke kërkuar masa më të ashpra për Ballukun,” tha Mërtiri.

Sipas tij, Rama nuk ka mundësi ta shpëtojë Ballukun dhe as veten. “Balluku, duke qenë në detyrë, do të përpiqet të intimidojë dëshmitarë dhe të prishë prova, duke ia vështirësuar punën SPAK-ut. Rama kërkon të fitojë kohë dhe të dobësojë SPAK-un në sytë e opinionit, por kjo do të sjellë reagime ndërkombëtare dhe një reagim në bllok kundër kësaj qeverie,” deklaroi analisti.

Mërtiri shtoi se edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara po përpiqet të ushtrojë ndikimin e saj për të balancuar presionet politike. Sipas tij, SHBA po kërkon të sigurojë që Gjykata Kushtetuese të mos ndikohet nga presioni i qeverisë në gjykimin e çështjes së Belinda Ballukut.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×