
Pas reshjeve të fundit të shiut dhe dëborës prurjet në basenin ujor të liqenit të Ulzës janë rritur ndjeshëm duke bërë që niveli i ujit të arrijë pikën maksimale tek diga e hidrocentralit.
Kjo ka bërë që niveli i ujit në fshatin Urakë të Matit të rritet ndjeshëm saqë të përmbytë edhe një kabinë elektrike e cila ishte vendosur aty prej dekadash.
Siç duket nga pamjet, gjysma e kabinës është në ujë për shkak të rritjes së nivelit. Banorët thonë se në ditët e shiut niveli ka qenë më lart, ndërsa prania e ujit rrezikon jetën e tyre në një kohë kur ka kontakt me rrymën elektrike.
Situatë shqetësuese mbetet edhe përmbytja e tokave bujqësore në fshatin Urakë dhe Rukaj si pasojë e fryrjes së liqenit i cili ka rritur nivelin e ujit në zallin e “Kurvajës” dhe të “Tharbnit”.
Vërshimet e ujit nga zalli i “Tharbnit” ka bërë që të dëmtojë rezervatet e peshkimit, por edhe të vërë në rrezik disa banesa.
Rritja në këtë lartësi e nivelit të liqenit të Ulzës ndodh pas rritjes së nivelit të portave shkarkuese të bërë nga kompania turke KURUM pak vite më parë. Banorët e akuzojnë kompaninë për dëme të mëdha që ju shkaktohen ndërsa i kanë kërkuar vazhdimisht që të mos lejojë që niveli i ujit të arrijë pikën maksimale, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.
and then