“Mendoni se jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”/ Rama pas reagimeve në Greqi: Të lënduarit me humorin tim…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas jehonës së krijuar në disa media greke dhe nga përfaqësues të politikës në Athinë, lidhur me një deklaratë të tij ku shprehej se “grekët mendojnë se janë pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk janë”.

Në një reagim publik, Rama shprehet i habitur nga mënyra se si, sipas tij, një fjali e thënë me humor miqësor është shkëputur nga konteksti dhe është kthyer në një polemikë me tone nacionaliste.

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin John Defterios në panelin e Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi”, shprehet Rama.

Kreu i qeverisë thekson se është e pabesueshme që një deklaratë e bërë në kuadër të një diskutimi informal të kthehet në debat publik me “pathos nacionalist”, fenomen që sipas tij ndodh shpesh në Athinën mediatike.

Rama siguron se nuk ka asnjë dyshim mbi rolin e Greqisë së Lashtë dhe figurave të saj në historinë e qytetërimit europian. Ai thekson se Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe se kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për trashëgiminë e lashtë, por edhe për kontributet moderne në letërsi, art, film dhe muzikë.

“Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm dhe vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar, ndërsa për kryeministrin e Greqisë kam respekt të veçantë”, shton Rama.

Megjithatë, ai nënvizon se nuk mund të pranojë që çdo retorikë me tone nacionaliste të trajtohet si trashëgimtare e mendimit filozofik të Greqisë së Lashtë.

“Mos më kërkojë askush që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit”, përfundon Kryeministri.

Reagimi i kryeministrit Rama:

Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!

Kaq.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×