Shkëputja e energjisë në QSUT, inxhinieri Azmer Duleviç: U rrezikuan pacientët, gjeneratorët duhet të ndizeshin automatikisht

Shkëputja e energjisë elektrike për rreth 40 minuta në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka ngritur shqetësime të forta mbi sigurinë dhe funksionimin e sistemeve rezervë. I ftuar në News24, inxhinieri Azmer Duleviç e ka cilësuar ngjarjen si tejet të rëndë dhe skandaloze, duke theksuar se situata të tilla mund të kenë pasoja fatale.

Sipas Duleviçit, spitalet janë objekte të rëndësisë së veçantë dhe ligjërisht duhet të furnizohen me energji elektrike nga të paktën dy linja të ndara. “Në asnjë moment nuk duhet të mungojë energjia elektrike, as për disa sekonda. Ka aparatura që duhet të funksionojnë 24 orë në ditë, ndërhyrje kirurgjikale në proces dhe pacientë në gjendje kritike,” u shpreh ai.

Inxhinieri shpjegoi se skenari më i keq është rënia e të dyja linjave të furnizimit, por edhe në këtë rast sistemi parashikon aktivizimin automatik të gjeneratorëve rezervë. Megjithatë, në rastin e QSUT-së, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.

“Kanë qarkulluar video ku shihen pacientë që transferohen nga dhomat ku ndodheshin. Kjo tregon qartë se sistemi i gjeneratorëve nuk është vënë automatikisht në punë. Energjia është rikthyer në mënyrë manuale, çka do të thotë se sistemi automatik ka dështuar. Kjo është më shumë se skandaloze, sepse mund të kishte kushtuar edhe jetë njerëzish,” theksoi Duleviç.

Ai shtoi se kalimi nga një linjë furnizimi te tjetra duhet të jetë i menjëhershëm dhe plotësisht automatik, pa krijuar asnjë ndërprerje të perceptueshme në funksionimin e pajisjeve mjekësore.

Duleviçi nënvizoi gjithashtu se drejtoria e spitalit ka detyrim ligjor që të kryejë të paktën një herë në muaj teste teknike ose simulime për të verifikuar funksionimin e sistemeve rezervë. “Këto testime duhet të dokumentohen dhe të bëhen publike. Sot askush nuk mund të thotë se kur janë kryer testimet e fundit, cilat kanë qenë vlerat e matura dhe nëse sistemi ka funksionuar sipas standardeve,” deklaroi ai.

Sipas inxhinierit, mungesa e transparencës dhe e publikimit të këtyre të dhënave në faqet zyrtare të institucioneve përbën një problem serioz dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×