
Një projektligj i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit i nxjerrë për konsultim lidhur me treguesit gjeografikë dhe emërtimin e origjinës synon të përafrojë kuadrin ligjor shqiptar më afër direktivave të Bashkimit Europian çka siguron përmirësime në disa aspekte.
Referuar relacionit që shoqëron këtë projekt ka një seri ndërhyrjesh në funksion të zgjidhjes së disa ngërçeve që lidhen me zbatimin e ligjit ashtu edhe me mbrojtjen.
“Në dallim nga Ligji ekzistues 9947, që trajtonte në mënyrë të përciptë grupin e prodhuesve, i cili përbën subjektin kryesor të paraqitjes së kërkesave për regjistrim të treguesve gjeografik, projektligji i kushton një vend dhe një rëndësi të veçantë grupi të prodhuesve. Projektligji rregullon në detaje statusin e grupit. Kështu, projektligji përcakton se çfarë është grupi i prodhuesve, kush prodhues mund të bëjë pjesë; përcakton rastin se kur një prodhues i vetëm mund të konsiderohet si një grup prodhuesish, e kështu me radhë. Të gjitha këto çështje që lidhen me grupin e prodhuesve trajtohen dhe rregullohen për herë të parë në projektligj, duke plotësuar kështu kuadrin ligjor në këtë aspekt” thuhet në relacion.
I njëjti nënvizon se janë bërë një sërë përmirësimesh edhe përsa i përket procedurës që duhet ndjekur dhe dokumenteve që kërkohen të paraqiten për regjistrimin e një treguesi gjeografik, duke prezantuar një tablo të qartë dhe të strukturuar drejt për regjistrimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e një treguesi gjeografik.
Sipas qeverisë pas regjistrimit, treguesi gjeografik fiton mbrojtje dhe kjo mbrojtje ka gjetur rregullimin e duhur në projektligj, gjë që, nga njëra anë, flet dhe evidenton të drejtat e mbajtësit të treguesit gjeografik, dhe, nga ana tjetër, parashtron ndalimet e personave dhe prodhuesve të tjera për përdorimin e treguesit gjeografik të mbrojtur..
“Prandaj projektligji i kushton një rëndësi të veçantë masave për mbrojtjen e treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës dhe të drejtave të pronarëve të tyre nga cenimet që u bëhen atyre nga spekulatorë dhe manipulatorë të tregut.
Në këtë aspekt, projektligji parashikon të drejtat e pronarëve të treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës që cenohen nga veprime shkelëse të bëjnë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e kështu me radhë” thuhet në relacion./Monitor
and then